
A do të lirohen nesër Veliaj dhe Salianji?
Drejtësia humbi një tjetër betejë sot me politikën. Gjykata e Posaçme vendosi të nxjerrë nga “arresti shtëpiak” Jamarbër Malltezin, i akuzuar për aferën “Partizani”. Më herët u lirua vjehrri i tij, Sali Berisha.
Por duket se lirinë e kërkojnë edhe personazhe të tjerë të njohur që sot janë në qeli, si ish-presidenti Ilir Meta, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-deputeti Ervin Salianji.
Ilir Meta sot ka ankimuar në Apel vendimin e datës 26 qershor, ku kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë. Në atë seancë, SPAK nxori prova të reja, ku doli se Kryemadhi ka harxhuar mbi 200 mijë dollarë në SHBA e vende të tjera për blerje luksi dhe nuk i ka deklaruar. Por Meta pretendon se nuk ka dijeni dhe ka bërë ankimim në Apel.
Ndërkohë, nesër do të jetë një ditë shumë e rëndësishme për Erion Veliajn dhe Ervin Salianjin. Sa i takon Veliajt, nesër është seanca në Gjykatën e Lartë, shkalla e fundit e gjyqësorit, ku do të vuloset fati i kryebashkiakut, nëse do të lirohet apo jo. Seanca do të mbahet në orën 12:00.
Gjyqtarët do të shqyrtojnë argumentet e dhëna nga mbrojtja e Veliajt dhe më pas edhe argumentet e SPAK pse nuk duhet të ndryshohen masat e sigurimit. Në fund, Gjykata e Lartë do të thotë fjalën e fundit nëse Veliaj do të qëndrojë në qeli apo do të fitojë lirinë. Relatore e çështjes do të jetë gjyqtarja Albana Boksi.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua më 10 shkurt 2025 dhe është nën hetim për korrupsion e pastrim parash.
Sa i takon Salianjit, ky i fundit ka bërë kërkesë për lirim me kusht, pasi ka kryer 3/4 e dënimit. Seanca e fundit u shty për në 8 korrik, pasi nesër pritet të paraqitet një raport nga shërbimi i provës nëse përmbushen kushtet për ta liruar. Vetë Burgu i Fierit ka dhënë raport pozitiv dhe gjasat janë që nesër Salianji të lirohet.
Salianji ndodhet i izoluar në burgun e Fierit prej muajit tetor të vitit të kaluar. Ish-deputeti u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë nga Gjykata e Apelit për dosjen ‘Babale’, duke u dënuar me 1 vit burg. /Pamfleti
Lini një Përgjigje