
Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalimin e tij të përditshëm nga banesa ku ndodhet në ‘arrest shtëpie’, u ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen në protestë.
Berisha tha se ka ardhur momenti për të përmbysur këtë regjim, pasi në të kundërt Shqipëria nuk do të ketë një të ardhme.
"Ndaj dhe sot o kurrë, të ngrihemi dhe t’i japim duart këtij armiku të egër, të pashpirt dhe antishqiptar. I bëj thirrje çdo të riu, të ngrihet në lartësinë e përgjegjësisë së tij. Përgjegjësia e tij nuk është vetëm vetja. Përgjegjësia e tij është e ardhmja e Shqipërisë sepse ai vetë është e ardhmja.
Nëse ai nuk ka të ardhme këtu, Shqipëria vdes. Ndaj dhe sot të ngrihemi, të ngrihemi! U bëj thirrje të gjithë atyre që janë profesione të lira, shërbëtorë të mirë të shoqërisë, ngrihuni me guxim sepse PD ka faktuar se cila është. Ngrihuni të përmbysim këtë regjim, në mënyrë që t’i rikthejmë votën e lirë shqiptarëve.
Të përmbysim këtë regjim në mënyrë që të dy dhe trefishojmë rrogat e shqiptarëve.
Të përmbysim këtë regjim që të presim me gërshërët e ligjit, duart hajdute të pushtetit, që shtrihen mbi pasuritë e shqiptarëve. Të presim me gërshërët e ligjit, lidhjet e pushtetit me krimin.
U bëj thirrje pensionistëve, që keni kaq shumë kontribute dhe sot trajtoheni me asgjë, ngrihuni për vete dhe për nipërit tuaj, ngrihuni për veten dhe vendin tuaj. U bëj thirrje medieve të heqin dorë nga kjo propagandë e shpifur se nuk ka akte më të rënda se t’i shërbesh këtij regjimi duke mashtruar qytetarët”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje