
Ish-kryeministri Berisha ka nisur tentativat për t'i shpëtuar arrestimit nga SPAK. Fillimisht mobilizoi deputetët t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me padi për të pezulluar masën e detyrimit të paraqitjes çka do të pezullonte dhe arrestin, ndërsa të hënën kur këshilli i Mandateve shqyrton kërkesën e SPAK, Berisha thërriti protesta.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Eno Bozdo tha se sipas tij protesta ishte e paralajmëruar dhe nuk bëhet për shkak të betejës së Berishës me drejtësinë.
“Protesta të hënë dhe të enjten dhe në ditët në vijim për të gjithë atë që është duke ndodhur në kuvend për shkeljen e të drejtave të opozitës për mohimin e kërkesave të opozitës veçanërisht për komisionet për mënyrën sesi opozitarizmi po shkelet me këmbë. Unë besoj që opozita është në përshkallëzim të atij aksioni politik që e ka shpallur prej dy muajsh. Do ta fillojmë në këtë mënyrë mënyrë dhe do tja dalim mbanë. Do jetë vetëm PD e Tiranës. Është e rëndësishme që opozita mbështet deputetët e saj, së dyti është populli opozitar që proteston.
Dy apo tre javë më parë deputetet e opozitës u detyruan të hynin nga dritarja. Çdo gjë ka vajtur keq e më keq prandaj janë të gjitha motivet për të protestuar”, tha Bozdo.
I pyetur nëse në këtë protestë do të kenë mbështetjen e aleatëve, ai nuk tha një përgjigje të qartë.
“Vendimi për të përshkallëzuar vendimin tonë politik është marrë sot në mbledhjen e kryesisë. S’ka arsye pse të mos kemi mbështetjen e opozitës sepse jemi duke folur për mohimin e të drejtave të deputetëve të opozitës”, u shpreh ai.
Veprimet e Berishës duken kontradiktore, pasi fillimisht iu drejtua kushtetueses e ndërsa tani thërret protesta. Por për Bozdon ky skenar ishte paralajmëruar.
“Jemi në një skenar që ishte paralajmëruar pak muaj më parë pa ditur se situata me parlamentarizmin do mbërrijë në një çast të tillë. S’ka lidhje me Berishën por me mënyrën si është zhvilluar agjenda në parlament në 3 muajt e fundit. Është diçka që e kemi paralajmëruar që do ndodhë. Do përdorim mjetet e duhura do ta përhapim në të gjithë Shqipërinë”, tha Bozdo për “Report Tv”.
Lini një Përgjigje