TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Dhjetor 2023, 19:34

Gallatë te Tatimet/ Pasi nuk lanë gjë pa thënë, Ceno Klosi i kërkon falje publike Braçes: Reagimi ndaj jush, aspak institucional

Shkruar nga Pamfleti

Gallatë te Tatimet/ Pasi nuk lanë gjë pa thënë, Ceno

Drejtoria e Tatimeve i ka kërkuar ndjesë publike deputetit Erion Braçe. Pas sherrit në distancë me tij dhe këtij institucioni, ka reaguar sot drejtori Ceno Klosi. Deri dje fliste vetë drejtoria si institucion dhe nuk la gjë pa thënë për Braçen, ndërsa sot Klosi e ka dredhur dhe i ka kërkuar falje publike Braçes, duke kritikuar madje dhe vartësit e tij.

Në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe në emrin tim personal, i kerkojmë ndjesë publike deputetit Erjon Braçe për reagimin e nxituar dhe aspak institucional ndaj kritikave të tij publike. Shqetësimet e deputetit meritojnë vëmendjen e institucionit tonë dhe nuk është detyra jonë të replikojmë me askënd që lirisht jep opinionin e vet. Kjo thyerje e etikës institucionale nuk do të përsëritet. Shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve për sa më lart”, shprehet Ceno Klosi.

Një ditë më parë nëpërmjet një statusi në faqen zyrtare në facebook, Tatimet i quanin “fyese” dhe të “pasakta” deklaratat e deputeti, i cili po ashtu në Facebook deklaronte se kjo agjenci kishte ndërmarrë masa në kufijtë e “grabitjes”.

Braçe pretendonte në një video në faqen e tij të martën se ishte lajmëruar nga tregëtarët se një agjenci ligjzbatuese kishte shkuar për kontroll në tregun e fruta perimeve pas disa apeleve të tij publike për abuzimin me çmimet e fruta-perimeve.

“Një pjesë e tregtarëve, të njoftuar, kanë mbyllur qepenat, makinat etj, një pjesë, ata qe se zgjidhin dot me ta, janë kapur në kushte paligjshmërie”- thotë Braçe, duke pretenduar se agjentët tatimorë u kanë thënë tregëtarëve se “nuk kemi ç'bëjmë, ka dhënë urdhër Braçja, prej tij e keni”.

Duke i cilësuar zyrtarët e tatimeve “idiotët e padobishëm të shtetit”, deputeti socialist sqaron publikun se se ai nuk ka tagër të urdhërojë askënd dhe se qëllimi i denoncimit të tij nuk ishte gjoba, por kërkimi i faturës tatimore në blerje nga bujku e  në shitje nga tregtari.

Por Tatimet reaguan shumë ashpër: “Na vjen keq të dëgjojmë nga një Deputet fyerje dhe mungesë respekti ndaj Administratës Tatimore, duke përdhosur punën e saj, aq më keq me informacione të pavërteta, gjykime të një Deputeti që jo vetëm nuk e përmirësojnë punën e një Administrate, por përkundrazi e ofendojnë publikisht atë me apo pa të drejtë.

Kujtojmë Z. Braçe, dhe sqarojmë publikun, që Bizneset e vogla janë me 0 Tatim Fitimi dhe 0 TVSH. Kështu që lëshimi apo jo i Faturës Tatimore, edhe pse është shkelje ligjore, nuk do të ndryshojë në asnjë mënyrë çmimet, sikurse pretendohet, pasi çmimet përcaktohen nga Ofertë-Kërkesa si në çdo ekonomi të liberalizuar”.

 

 

Lini një Përgjigje