
Berisha ka urdhëruar të vetët të informojnë degët e Tiranës të mbledhin sa më shumë qytetarë.
Ish-kryeministri Sali Berisha duket se e ndjen veten ngushtë. Edhe pse e sfidoi SPAK duke mos zbatuar masën e sigurisë, kërkesa e tyre për ta arrestuar e ka trembur. Të hënën Këshilli i mandateve do të votojë në favor të prokurorisë dhe Berisha ka hedhur një hap tjetër, duke kërkuar mbështetje nga besnikët e tij. Mësohet se Berisha ka kërkuar të mbahet një protestë gjatë kohës që në Këshillin e Mandateve do të shqyrtohet kërkesa e SPAK.
Në mënyrë të fshehtë, “Rithemelimi” ka mbledhur Kryesinë dhe është vendosur që ditën e hënë të mbahet një tubim para Kryesisë së Kuvendit si dhe një protestë tjetër ditën e enjte, ku me shumë gjasë do të bëhet votimi i heqjes së imunitetit në seancë plenare.
Berisha ka urdhëruar të vetët të informojnë degët e Tiranës të mbledhin sa më shumë qytetarë.
Lëvizja e tij vjen në një kohë kur deputetët i dolën kundër protestave. Të martën pati një mbledhje grupi dhe aty Berisha hodhi idenë e protestave, mirëpo Gazment Bardhi i doli kundër duke i thënë se një protestë tani është sfidë ndaj drejtësisë. Vetë Flamur Noka i tha po ashtu se nga të dhënat që ka marrë, nuk ka mbështetje në bazë dhe një protestë tani do të ishte e gabuar.
Mirëpo Berisha duket se nuk ka ndryshuar mendje. Ai ka mbledhur Kryesinë dhe ka kërkuar që të mbahen dy protesta të fuqishme. Argumenti do të jetë kundër mazhorancës se ajo po i mbyll derën opozitës, por sipas burimeve, e gjitha duket se bëhet pas kërkesës së SPAK.
Dyshimet janë se mund të provokohen tensione. Berisha dihet që ka qenë gjithmonë i ashpër në kërcënimet tij, duke deklaruar se do të ketë mosbindje civile. Pritet që të hënën dhe të enjten, Kuvendi të blindohet me oficerë policie dhe të Gardës, për të shmangur çdo lloj të papriture.
Lini një Përgjigje