TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Maj 2026, 11:37

Berisha shkon të votojë për veten dhe sulmon Salianjin: Përfaqësues i botës së krimit

Shkruar nga Pamfleti
Berisha shkon të votojë për veten dhe sulmon Salianjin:
Berisha

Në një proces të paralajmëruar prej javësh si formal dhe pa garë reale, Sali Berisha u paraqit ditën e sotme në selinë e Partisë Demokratike për të votuar… veten.

I vetëm në garë për drejtimin e PD-së, pasi pesë kandidatë u skualifikuan nga procesi, Berisha e cilësoi votimin shembullor dhe demokratik.

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, kreu i demokratëve u shfaq i bindur se procesi përfaqësonte vullnetin e anëtarësisë, edhe pse zgjedhjet zhvillohen pa alternativë përballë tij.

“Përshëndes të gjithë demokratët që kanë votuar deri tani në mbarë Shqipërinë, në një proces shembullor, në të cilin në mënyrën me demokratike shprehin vullnetin e tyre për kryetarin apo kundër tij. Ftoj demokratët të përmbushin këtë detyrim të rëndësishëm statutor, ndaj një procesi më demokratik që ekziston në të gjitha partitë moderne, europiane. Në një pjesë të tyre, se janë pakicë. I garantoj se do të përmbush me përkushtim të madh detyrimet e mia ndaj qëndrimeve të tyre”, tha Berisha.

Por ndërsa procesi i votimit u zhvillua pa rivalë politikë në fletë, Berisha rezervoi sulme të drejtpërdrejta për ish-deputetin Ervin Salianji. Ky i fundit kishte publikuar më herët disa fletë votimi ku anëtarë demokratë kishin shkruar emrin e tij, në një formë simbolike kundërshtie ndaj garës së vetme.

Pa ia përmendur emrin drejtpërdrejt, Berisha e etiketoi Salianjin si të lidhur me botën e krimit, duke ashpërsuar më tej përplasjen brenda kampit demokrat.

“Besoj se përplitjet e një përfaqësuesi të botës së krimit, nuk mundet të përlyejnë këtë proces më demokrat në Shqipëri përfaqësuesit e botës së krimit nuk do kenë vend kurrë në këtë parti. Ndarja jonë me botën e krimit, është ndarje me jetë e vdekje, askush nuk mund të mendojë se të konsiderojë fuqi në këtë parti, fuqinë e krimit. Zero”, tha Berisha.

Lini një Përgjigje