
Berisha e cilësoi SPAK një organizatë kriminale në shërbim të Ramës, teksa kërkoi mobilizim për rrëzimin e tij...
Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar me sulmet dhe akuzat ndaj drejtësisë. Ai është marrë i pandehur nga SPAK për aferën me klubin “Partizani”, teksa sot sulmoi SPAK për aferën e inceneratorëve.
Berisha ishte në një takim me demokratët e Fierit. Ai e cilësoi SPAK një organizatë kriminale në shërbim të Ramës. Ai u ndal te aksioni për inceneratorin e Tiranës, duke thënë se SPAK nuk ka forcë të shkojë te Rama dhe Veliaj, pasi janë ata krerët e kësaj organizate që ka vjedhur qindra milionë euro, sipas tij.
“Një repart special që sillet si organizatë kriminale e partisë shtet. Është bërë mburojë e pakapërcyeshme e vjedhjeve më monstruoze në historinë e Shqipërisë. Ju dëgjuat se janë lëshuar fletë arresti për 15 vetë për djegësit. Në të gjithë jurisprudencën e planetit, përveç në drejtësinë e partisë së Ramës, kjo quhet organizatë kriminale. Kur 3 vetë ose më shumë bashkëpunojnë në një vepër penale, konsiderohet automatikisht grup apo organizatë kriminale. 16 janë arrestuar. As grup dhe as organizatë. Po pse? Sepse grupi e organizata kanë një në krye. Dhe këtu kreu është Rama dhe askush tjetër. Me dokumente me firma. Ata nuk guxojnë të flasin për organizatë kriminale për vjedhjen e shekullit. Jo ky jo ai. Ky Taulanti thonë se keqinformoi qeverinë. Ram e kishte në tavolinë që Ermonela Felaj i thoshte se kompanisë që i japim 8 përqind bonus është fantazmë. Por kompania ekzistonte në kokën e Ramës se ishte kompania e tij dhe e Veliajt”, tha Berisha.
Berisha gjatë takimit deklaroi se Kuvendi i 2 dhjetorit, ishte një votëbesim për linjën politike të PD-së në këtë moment historik. Sipas tij, opozita do vijojë rezistencën, duke këmbëngulur se zgjedhje me Ramën nuk do të ketë dhe këroi mbështetje për ta rrëzuar.
“Ishte një votëbesim për kryetarin e partisë? Jo, ishte një votëbesim për linjën politike të PD-së në këtë moment historik. Ajo votë ishte votë për angazhimin e PD-së në një betejë pa kthim. Në një betejë pa kthim për shpëtimin e shoqërisë shqiptare, shpëtimin e demokracisë, në një betejë pa kthim në të cilën ne, të flasim haptas, u themi të vërtetën në sy shqiptarëve se me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka dhe se ne kemi misionin sublim, rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve. Unë mirëkuptoj secilin prej jush, që me shumë të drejtë, keni vërejtje serioze për funksionimin e PD-së, për organizimin e PD-së, për mobilizimin e PD-së dhe ne nuk duhet të heqim dorë kurrë nga dhënia e përgjigjes më të mirë të këtyre problemeve. Por, duhet të jemi të vërtetë me qytetarët. Me Edi Ramën, çfarë do që të bëjmë ne, zgjedhje nuk ka”, vijoi ai.
Më tej Berisha akuzoi Edi Ramës se i shërben me vendosmëri Vuçiçit. Sipas tij, Ram ka dalë kundër Kosovës duke mbrojtur Serbinë.
Lini një Përgjigje