Klodian Zoto e dinte një ditë para përgjigjen që Ministria e Mjedisit do i kthente Bashkisë së Tiranës...
Prokuroria e Posaçme duket se nuk do të ndalet me 15 urdhër arrestet për inceneratorin e Tiranës. Në pranga ranë disa emra që diheshin deri tani, ndërsa e vetmja prurje e re ishte arrestimi i Drejtorit të Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës. Ka nga ata që shprehen se ka shumë emra të tjerë të përfshirë, por SPAK nuk ka guxuar të shkojë te ata.
Mirëpo mësohet se SPAK e ka ndarë dosjen. Sipas burimeve, është ndarë një fraksion i saj, pasi ka dyshime dhe për zyrtarë të tjerë të përfshirë, ndoshta dhe më të lart se drejtorët e Bashkisë që ranë në pranga. Megjithatë mbetet të shihet guximi i SPAK.
Ndërkohë janë zbardhur detaje nga dosja e SPAK. Sipas saj, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë qenë në dijeni të procedurave përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit.
Në dosje zbulohet se Klodian Zoto, aksioneri i shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k e dinte një ditë para përgjigjen që Ministria e Mjedisit do i kthente Bashkisë së Tiranës sipas të cilës bihej dakord me fillimin e vijimin e procedurës dhe propozon ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës.
Për këtë ka ndihmuar Vladimir Bezhani i cili gjatë kohës ishte Këshilltar i jashtëm i Ministrit të Mjedisit.
SPAK ka zbuluar emailin e datës 2 mars 2016. Ndërkohë një ditë më pas, më 3 mars 2016 ministria e Mjedisit konfirmon bashkisë vijimin e procedurës dhe propozon ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës.
Po ashtu një muaj para, më 19 shkurt 206 po përmes adresës elektronike Klodian Zoto ka qenë në dijeni të Masterplanit të Menaxhimit të Mbetjeve për qytetin e Tiranës hartuar nga ekspertët e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar/Japan dhe që vlerësonte zgjerimin e landfillit.
Masterplani do të ishte ndihmë për të hartuar studimin e fizibilitetit përfundimtar, ku dhe sipas SPAK kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.
"Përshëndetje Klodi, Po të dërgoj Master Planin për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta Urbane të Tiranës, hartuar nga JICA (Japonezet). Është një material tepër i plotë, që do të na shërbejë edhe për studimin e fizibilitetit përfundimtar, pavarësisht opsionit që do të përzgjidhet. Kalofsh një fund jave të këndshme me familjen. Ladi", shkruhet në faqen 4 të dosjes.
Lini një Përgjigje