“Ne jemi njerëz të fjalës dhe ne mbahemi për fjalën tonë: e para, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, e kam thënë dhe e them përsëri. E dyta, ne u kemi thënë shqiptarëve se do të mbrojmë votën, dhe e mbrojtëm votën”, tha kreu demokrat, Sali Berisha, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD.
Berisha iu drejtua anëtarëve të Këshillit Kombëtar me një sqarim sepse për 7 muaj nuk u thirr mbledhja e këtij forumi, duke theksuar se vëmendja ishte në faktimin e krimit elektoral, duke mbrojtur votën e opozitës. Sipas Berishës, rezolutat ndërkombëtare tregojnë se PD dhe aleatët e saj, kanë mbrojtur votën, e cila u deformua në 11 maj.
Ai tha se fushata e 11 majit ishte fushata më e shkëlqyer në tërë historinë e PD, kishim arkitektin e fitores së Presidentit Trump, ishte fushata me programin më të mirë të kësaj partie dhe ishte fushata me mbështetjen më të madhe që patëm nga organizatat e partisë së qendrës së djathtë.
Berisha tha se në 11 maj nuk pati zgjedhje, por një farsë elektorale.
“Ata që duan të fajësojnë opozitën për farsën bëjnë një gabim të madh, në substancë dhe në thelb dhe me dashje apo pa dashje justifikojnë farsën”, tha Berisha.
Në fjalën e tij, Berisha ka ripërsëritur denoncimet që ka bërë edhe më parë lidhur me veprimtaritë e Edi Ramës dhe Qeverisë së tij, gjatë fushatës, duke shkelur rregullat për zgjedhje të drejta.
Pjesë nga fjala në Këshillin Kombëtar
Do ta filloj këtë fjalë së pari me një sqarim të domosdoshëm për vonesën e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD pas zgjedhjeve të 11 majit.
Duhet të garantoj çdo demokrate e demokrat, çdo anëtare dhe anëtar të Këshillit Kombëtar se kjo vonesë ka pasur vetëm një shkak, dhe ky shkak ka qenë mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë.
Unë, dhe të gjithë ne, jemi njerëz të fjalës.
Ne mbahemi për fjalën tonë.
Dy kanë qenë, të themi, kryefjalët tona.
E para, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
E kam thënë me dhjetëra e dhjetëra herë dhe e them përsëri, por e dyta, ne u thamë shqiptarëve se do mbrojmë votën.
Dhe se mbrojtja e votës ishte prova më e madhe e seriozitetit tonë, e përkushtimti tonë, e vendosmërisë, integritetit dhe ndershmërisë tonë.
Duke thënë këtë, theksoj se fushata elektorale e vitit 2025 ka qenë fushata me programin më të shkëlqyer elektoral në tërë historinë e PD.
Ka qenë fushata me arkitektin më të aftë të fushatave elektorale, arkitektin e fitores së presidentit Donald Trump.
Ka qenë fushata, në të cilën ne garantuam mbështetje të plotë dhe totale nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë, CDI, IDU dhe vetëm 10 ditë para zgjedhjeve, Partia Popullore Europiane denoncoi pa u zhvilluar farsën elektorale që kishte përgatitur Edi Rama.
Në këtë kontekst, mund të them se farsa e vitit 2025, tejkalonte në përmasa të pakrahasueshme të gjitha farsat e tjera elektorale.
Lini një Përgjigje