
Në vijim të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, kreu demokrat, Sali Berisha, është ndalur në Vaqarr të Tiranës, nga ku ka deklaruar se fshati meriton të njëjtën infrastrukturë si një lagje qyteti.
Berisha tha se në rast se vështrojmë këto 12 vite të Edi Ramës, fshati shqiptar është ai që përjetoi dhe provoi pasojat më të rënda të këtij regjimi.
“Këto pasoja jashtëzakonisht të rënda filluan me të ashtëquajturën reformë e qeverisë vendore, ku ju humbët shërbimet që kryheshin në komunë dhe e tëra kjo ju la ju, pa shërbimet që meritoni.
Me reformën e quajtur territoriale, ju dha një goditje shumë e rëndë qeverisjes vendore, qeverisjes së qytetarëve, e cila kishte misione shumë të rëndësishme për zhvillimin e zonave”, tha Berisha.
Referuar qeverisjes së PD në vitet 2005-2013, Berisha u shpreh se në zonat rurale u ndërtuan 8300 kilometra rrugë, mbi 800 shkolla dhe rreth 500 qendra shëndetësore.
Referuar programit të koalicionit ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’, Berisha theksoi se brenda vitit të parë të qeverisjes do rrisim me 5 herë subvencionet për fshatin dhe fermerët.
“Programi ynë është paratë tek qytetari. E thjeshtë fare. Paratë ne do të ja kthejmë qytetarit dhe ju garantoj se projekti ynë për fshatin do të vazhdojë me intensitet të madh.
Por siç e keni dëgjuar ndoshta, ne e fillojmë nga ajo që e quajmë, zemra e dhimbsur. Ne e fillojmë tek ata që janë në mjerim, në varfëri ekstreme.
Ne e fillojmë tek ata të cilët marrin siç e thatë këtu, 70-80-100 mijë lek, paçka se kanë shkrirë gjithë jetën e tyre në punë.
Dhe kemi se çdo shqiptar, në fshat apo në qytet, kudo që të jetë do marrë minimumin jetik 200 euro për frymë. Cilido që të jetë pensioni në fshat ndën 200 euro, do jetë 200 euro dhe kjo do të ndodhë 3 muaj e parë të qeverisjes tonë.
Jo vetëm kaq, por do ketë kartën e konsumatorit e cila i jep mundësi atij të marrë mbrapsh TVSH 20% të atyre shpenzimeve që bën për ushqimet bazë dhe mallrat që blen”, tha Berisha.
Në vijim ai deklaroi se do të ndalohet dhe ndëshkohet rëndë, shitja në tregjet e Shqipërisë, të çdo ilaçi qoftë për njerëzit, qoftë për tokën, qoftë për bagëtinë që nuk tregtohet në dy vende të BE-së.
“Ne do ta nisim nga disa gjëra bazë të cilat na japin sigurinë, dinjitetin. Se nëqoftëse ti e trajton tjetrin, ka shkrirë jetën e tij në punë dhe i thua, merr kaq 16 mln euro për 760 mijë pensionistë, ti tallesh me ta me cinizëm.
Po pse të tjerët paskan ku ti marrin e ti nuk paske ku ti marrësh. Pse kryeministri i Kosovës, jep 100 mln euro për pensionistët dhe ka gjysmën e pensionistëve të Shqipërisë dhe gjysmën e buxhetit të Shqipërisë”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje