TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Prill 2025, 15:49

Inceneratori i Tiranës, Tabaku: GJKKO amnistoi ideatorët, janë dorëzuar 12 padi në SPAK

Shkruar nga Pamfleti

Inceneratori i Tiranës, Tabaku: GJKKO amnistoi ideatorët, janë

Jorida Tabaku, deputete e PD-së, e cila drejtoi komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët, ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së lidhur me inceneratorin e Tiranës. Tabaku shprehet se vendimi i dhënë nga GJKKO është një thërrime në përgjegjësinë që duhet të ishin përpara drejtësisë, kushdo që e ka ideuar, konceptuar, miratuar dhe zbatuar, por ndërkohë vazhdon dhe paguan dhe sot e kësaj dite çdo ditë 88 mijë euro.

Ajo tha se përgjegjësit e inceneratorit të Tiranës, ashtu siç e ka faktuar dhe PD, nëpërmjet komisionit hetimor të inceneratorëve, nisi nga kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ka firmosur të gjitha dosjet, por njëkohësisht edhe vendimet për inceneratorin e Tiranës.

Partia Demokratike nuk do të reshtë jo vetëm së denoncuari këtë aferë, ashtu siç kemi bërë. Rreth 12 padi sot janë dorëzuar në SPAK për inceneratorin e Tiranës, mijëra faqe dokumente të cilat provojnë përfshirjen e politikës, krimit të organizuar, mbështetjen politike që i është dhënë këtij projekti, dhe njëkohësisht edhe përfshirjen e të gjithë zyrtarëve, së pari të nivelit të parë politik, nga kryeministri dhe ministrat, deri te kryetari i bashkisë dhe së dyti të gjithë zyrtarëve të nivelit të dytë”, tha Tabaku.

Sipas deputetes së PD-së, menjëherë pas 11 majit, Partia Demokratike do të ndërmarrë një reformë të plotë në të gjitha kontratat publike duke nisur me inceneratorin e Tiranës, duke reformuar jo vetëm sistemin e menaxhimit të integruar të mbetjeve, por të gjithë sistemin me të cilin sot, bashkia e Tiranës së pari dhe të gjitha bashkitë e tjera, në mënyrë kriminale mbledhin taksat e rritura të qytetarëve për pastrimin dhe i çojnë ato tek inceneratori që nuk ekziston.

Tabaku paralajmëroi se kjo çështje do të ketë drejtësi dhe këtë drejtësi do të ua ofrojmë ne qytetarëve, për të gjithë ato që sot vazhdojnë e paguajnë taksat në inceneratorin e korrupsionit, që sot dergjet në landfillin e Sharrës.

Në vijim, Tabaku tha se përgjegjësia për inceneratorin e Tiranës nis me Kryeministrin dhe më pas vijon me Engjëll Agaçi, personi përgjegjës i cili ka krijuar të gjithë infrastrukturën ligjore, për të mbështetur inceneratorin e Tiranës.

Erion Veliaj, i cili është i pari që nën dëshmi ka shkelur ligjin duke firmosur një kontratë pa miratimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe duke angazhuar 130 mln euro nga qytetarët e Tiranës.

Arben Ahmetaj, i cili rezistoi, por më pas pranoi për ti dhënë dakordësinë kësaj kontrate.

Damian Gjiknuri për mos ndërprerje të kontratës dhe përgjegjës kryesor për zbatimin e saj.

Belinda Balluku e cila kishte përgjegjësinë për Njësinë e Zbatimit të Projektit, për pagesat e përditshme të inceneratorit.

Lefter Koka, njëkohësisht si iniciatori i ofertës së pa kërkuar.

Një sërë zyrtarësh të nivelit të dytë, rreth 60 të tillë të përfshirë në vendimin për inceneratorin e Tiranës.

Partia Demokratike ka provuar se i gjithë projekti është shkruar në zyrat e tre personave, që nuk kishin asnjë lidhje me incenerimin dhe djegien e mbetjeve, që nuk e njihnin sektorin, që nuk kishin absolutisht asnjë burim financiar për të mbështetur këtë projekt, dhe morën një kontrate prej 130 mln eurosh, dhe që sot po shkon në 390 mln euro, që njihet si vjedhja më e madhe e shekullit”, tha Tabaku.

Lini një Përgjigje