
Endrit Braimllari, kandidat i listës së hapur të PS-së në Qarkun e Tiranës, ka paralajmëruar Ilir Metën, Presidentin e Partisë së Lirisë, i cili ndodhet në qeli me vendim të GJKKO-së, se do të merret me të pas 11 majit. Braimllari ka paralajmëruar se do kërkojë deri në fund të drejtën e tij.
Reagimi i Braimllarit erdhi nga studio e A2Cnn, ku e cilësoi Ilir Metën një shantazhues serial dhe një shpifës.
Deklaratat e kandidatit për deputet erdhën në përgjigje të akuzave të Ilir Metës, sipas të cilit ai është konvertuar në socialist pasi doli nga zyrat e SPAK.
“Partia e Lirisë ka qenë targeti kryesor i regjimit mafioz të Edi Ramës për një kohë të gjatë, por përpjekjet e tij kriminale nuk realizuan dot rrëmbimin e drejtimit të PL përmes bashkëpunëtorëve të tij të rekrutuar nga SPAK. Edi Rama u ngushëllua duke marrë të konvertuarin në Rilindas, pasi doli nga dyert e SPAK duke e futur në listën e tij. Kështu mori edhe simbolin e nepotizimin në PL dhe përgjegjësinë për më shumë shpërdorime financiare në parti. Ky mori edhe financieren e partisë, që punonte prej 20 vitesh në biznesin e tij...”, ka deklaruar Meta.
Por Braimllari shprehet se “nëse kjo më adresohet mua, më vjen keq që është kthyer në një shpifës dhe shantazhues serial, që kërkon të mbulojë dështimet e lidershipit të tij”.
“Ato janë çështje me të cilat do të merrem pas 11 majit, shumë seriozisht, pasi do të kërkoj të drejtën time ligjore mbi atë çështje, por tani jam fokusuar fort te fushata.
Për sa i përket konvertimit apo largimit, përgjigjen ia ka dhënë zoti Faik Basha, kandidati që ishte përballë tij për president të partisë. Përgjigjen e ka dhënë e nderuara ish-kryetarja e gruas. Arsyet që unë kam dhënë një vit më parë, njerëzit pranë tij i dhanë pas konventës së 27 prillit. Pra është e qartë situata. Mënyra se si kanë lëvizur në këtë vit tregon se sa jo seriozë janë”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje