Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me drejtues dhe koordinatorë politikë, ka theksuar nevojën për zgjerimin e partisë, duke e konsideruar rritjen e anëtarësimeve si një objektiv urgjent për strukturat.
Ai u shpreh se çdo drejtues duhet ta ketë si standard pune hapjen e PD-së dhe afrimin e anëtarëve të rinj, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me rezultatet politike.
“Ne duhet të bëjmë çdo gjë që të hapim PD-në. Çdo kryetar dhe koordinator duhet të ketë etalon anëtarësimet e reja dhe hapjen e partisë,” u shpreh ai.
Berisha pranoi gjithashtu se aktualisht ka problematika serioze në procesin e anëtarësimeve, duke theksuar se shumë qytetarë që duan të bëhen pjesë e PD-së nuk po arrijnë të regjistrohen.
“Janë me qindra, madje mijëra demokratë të paanëtarësuar që kërkojnë të marrin dokumentet e PD. Nuk ka kush ua ofron. Kjo është e pafalshme për ne,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, kjo situatë kërkon një qasje të re nga strukturat e partisë, duke kaluar nga deklaratat formale te puna konkrete në terren dhe angazhimi për të përfshirë sa më shumë qytetarë.
Lini një Përgjigje