TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Qershor 2026, 11:23

Berisha flet për largimin e Marjana Koçekut nga PS: Akt qytetar

Shkruar nga Pamfleti
Berisha flet për largimin e Marjana Koçekut nga PS: Akt qytetar
Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi këtë të hënë vendimin e deputetes Marjana Koçeku për të vijuar mandatin si e pavarur.

Gjatë një deklarate për mediat, pas paraqitjes së tij në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në kuadër të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, Berisha u ndal edhe te zhvillimet e fundit politike.

Ai tha se ende nuk i njeh arsyet e plota të largimit të Koçekut, por theksoi se do ta përgëzonte nëse vendimi i saj lidhet me qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj protestës së zhvilluar një ditë më parë.

“Tani, nëse zonja Koçeku ka dorëzuar, është larguar nga grupi për shkak të qëndrimit të Edi Ramës ndaj protestës, unë e përgëzoj atë. Në rast se ajo ka pasur, se nuk i ka shpjeguar arsyet, pres t’i shpjegojë arsyet që të prononcohem. Por po e them tani, në rast se ajo ka dhënë dorëheqjen për shkak të qëndrimit të papërgjegjshëm të Edi Ramës ndaj protestës madhështore, të paparë në historinë e Tiranës, ajo ka bërë një akt qytetar. Unë siguroj protestuesit se mandatet e PD-së janë dhe do të jenë të tëra në funksion të kësaj lëvizjeje”, tha ai.

Një ditë më parë, deputetja Marjana Koçeku njoftoi vendimin e saj për të vijuar aktivitetin parlamentar si deputete e pavarur, ndërsa ende nuk ka dhënë një sqarim të detajuar mbi arsyet e këtij hapi politik.

Lini një Përgjigje