
Kreu demokrat Sali Berisha nga selia e PD-së ka artikuluar të tjera akuza ndaj Altin Dumanit, kreut të SPAK, që një ditë më parë paraqiti raportin vjetor të institucionit që drejton në Kuvendin e Shqipërisë.
Berisha tha se Dumani ka shkelmuar interesat e shqiptarëve.
“Unë u mora me 1.4 miliard euro, një seri aferash dhe që nuk janë as një e katërta e aferave që ky person i papërgjegjshëm, mashtrues, nuk i heton sepse janë qeveritarët e tij.
Ua thashë edhe dje, flakët e djegësave dhe djegësi i Tiranës do djegin çdo njeri që ka dorën e tij të zezë në atë aferë, edhe Edi Ramën, edhe Altin Troplinin dhe secilin prej tyre.
Mbrojta 630 milionë euro që CEZ duhej t’u paguante shqiptarëve me fatura të certifikuara nga kompania ndërkombëtare, dhe që Edi Rama, në vend të arbitrazhit ku e kishim të sigurt fitoren, ndau me ta edhe 100 milionë euro të taksapaguesve shqiptare.
Ata, të quajtur, çfarë t’u them unë atyre, që dalin në media dhe thonë se nuk u fol për qytetarin, po të kujt janë ato para?
U fol për tunelin e Llogarasë, 50 milionë euro me një të rënë të lapsit, e dokumentuar. U fol për aeroportin e Vlorës, 140 milionë euro.
U fol për vjedhjet e tmerrshme në energji. Për udhëtimet e Edi Ramës me avion çarter.
Vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit, në disa agjenci të varura nga Lubi Balluku, ka konstatuar 2.2 miliard euro vjedhje dhe shpërdorime.
Vetëm në disa agjenci dhe disa afera, sepse KLSH nuk kontrollon kurrë të gjitha aktet.
Kur Arben Ahmetaj thoshte se Lubia ka administruar 12 miliardë euro, të tjerët harronin vjedhjen dhe merreshin me miliardin.
140 milionë euro është vjedhje me checkup-in e Nushit. Ky bën sikur nuk ekziston. Atëherë a janë këto interesat e qytetarëve?
Unë them se janë interesa jetike të qytetarëve.
Ky zotëri komunikon se paska sekuestruar 63 milionë euro, po kujt ia dha ato? Kush i mori ato? Ku shkuan ato?
Po vetëm Franc Çopja ka 6 miliardë euro larje parash në Shqipëri.
Dhe ky na mburret se konfiskoi atë apartament apo atë apartament dhe që u zhdukën miliarda e miliarda, nuk thotë një fjalë.
Dhe pastaj lexonte gazeta, lexonte shkrimet e zëdhënësit të vet të porositura dhe të blera”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje