Ish kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç se qendrojnë prapa skenarëve të fshehtë për ndarjen e Kosovës.
Ajo që ndodhi në veri më 24 shtator, për Sali Berishën ishte një akt terrorist i Serbisë, por që kishte “një sfond të parapërgatitur nga Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.”, tha ditën e sotme Berisha në një konferencë me gazetarët.
Kreu i “Rithemelimit”, deklaroi se në sallat e një selie në New York u mbajt një takim jo publik mes Ramës dhe Vuçiç.
Në këtë takim, siç deklaroi Berisha, u takuan dy kryeministra përveç atij të Serbisë dhe u paraqitën kërkesa që komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, të vendosen nën kontrollin e KFOR-it.
Teksa thekson se burimet nuk i dhanë emra konkretë, Berisha, shpjegon se përse mund të dalë emri i kreut të qeverisë.
"Pse del Edi Rama, thoni ju?! Edi Rama del se me datën 24 shtator, në orën 11, sapo u mor vesh vrasja e policit në krye të detyrës, Edi Rama vrapoi me të madhe të kërkojë konferencën ndërkombëtare për Kosovën, tezë kjo e diskutuar dhe sugjeruar edhe në këtë mbledhje, kërkesë kjo e paraqitur direkt nga Aleksandër Vuçiç, kërkesë kjo e paraqitur nga terroristët e Listës Serbe, para Edi Ramës.", tha ai.
Ish-kryeministri përsëriti qëndrimin e mbajtur më herët se qëllimi i vetëm i kryeministrit Rama është i njejtë me atë të Vuçiçit; ndarja e Kosovës mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Lini një Përgjigje