Presidenti Bajram Begaj vazhdon ditën e dytë të vizitës në Kalabri. Ai zhvilloi sot disa vizita në qytezat e provincës së Kozencës, ku u prit nga komuniteti arbëresh dhe autoritetet vendore. Ndalesa e parë e Presidentit Begaj ishte “San Demetrio Corone”, ku iu rezervua një ceremoni e veçantë mirëseardhjeje, me praninë e qytetarëve të kësaj komune dhe kryetarit të saj Ernesto Madeo.
Sheshi i Monumentit në “San Demetrio Corone” ishte dekoruar me flamuj shqiptarë, ndërsa fëmijët që kishin dalë për të pritur Presidentin Begaj, veç pankartave të mirëseardhjes, mbanin flamujt e dy shteteve. Presidenti Begaj ishte i ftuar nga kryetari i komunës së “San Demetrio Corone”, Ernesto
Madeo në festivalin e kengës arbëreshe, një aktivitet muzikor me pjesëmarrjen e të gjithë grupeve muzikore arbëreshe. Presidenti Begaj ftoi artistët arbëreshë të bëhen pjesë e festivaleve që organizohen në Shqipëri, duke ofruar mbështjen e tij dhe të institucioneve shqiptare.
Gjatë qëndrimit në komunën “San Demetrio Corone”, presidenti Begaj vizitoi kishën antike “Sant’Adriano”. Më pas, kreu i shtetit shqiptar zhvilloi takim me komunitetin arbëresh në “Santa Sofia D’Epirio”, ku u prit nga autoritetet drejtuese, të cilët organizuan dhe një shfaqje me këngë e valle folklorike arbëreshe. Presidenti Begaj vizitoi gjithashtu kishën bizantine “Santa Sofia D’Epirio”.
Lini një Përgjigje