TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Dhjetor 2025, 21:44

BE inkurajon SPAK të godasë nivelet më të larta dhe ja bën të qartë Ramës: S’ka integrim pa përmbushur kushtet!

Shkruar nga Pamfleti
BE inkurajon SPAK të godasë nivelet më të larta dhe ja
Edi Rama duke folur për integrimin

Këshilli i BE: Shqipëria duhet të intensifikojë punën për përmbushjen e objektivave përmbyllëse në të gjithë kapitujt

Shqipëria ka hapur të gjitha grupet negociuese me Bashkimin Evropian, një hap simbolik që shënon progres në procesin e integrimit, por pas kësaj fushate pozitive diplomatike, fshihet një paralajmërim i ashpër nga Brukseli: korrupsioni i lartë dhe drejtësia e kapur mbeten pengesa reale që mund të ngadalësojnë ose bllokojnë përparimin e mëtejshëm.

Në konkluzionet zyrtare të Këshillit të BE-së, thuhet qartë se ecuria e negociatave do të varet drejtpërdrejt nga rezultatet konkrete në grupin themelor të kapitujve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe funksionimin e drejtësisë. Për të avancuar në proces, Shqipëria duhet të përmbushë objektivat ndërmjetëse në kapitujt 23 dhe 24, të cilët lidhen me pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e të drejtave themelore.

Komisioni Evropian ka përshëndetur rezultatet e deritanishme të SPAK dhe gjykatave të posaçme, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivelet e larta të shtetit. Por vlerësimi shoqërohet me një paralajmërim: Shqipëria duhet të garantojë që drejtësia të mos ndikohet nga presioni politik apo interesat e grupeve të caktuara. BE kërkon ruajtjen e integritetit të sistemit gjyqësor dhe pavarësinë e SPAK, duke theksuar se ndërhyrjet e brendshme apo të jashtme janë të papranueshme dhe dëmtojnë besueshmërinë e procesit.

Një shqetësim i veçantë vjen edhe për moszbatimin e vendimeve gjyqësore. Sipas Këshillit, Shqipëria duhet të sigurojë mbrojtje efektive ligjore dhe zbatim të qëndrueshëm të vendimeve të gjykatave, çka nënkupton se drejtësia selektive dhe toleranca ndaj zyrtarëve të pandëshkueshëm mbetet problem serioz.

Në fushën e medias, BE është e qartë: liria e shprehjes në Shqipëri është nën presion. Këshilli kërkon dekriminalizimin e plotë të shpifjes, transparencë mbi pronësinë dhe financimin e mediave dhe një mjedis të sigurt për gazetarët, duke nënvizuar se gazetarët investigativë që raportojnë për korrupsion duhen mbrojtur, jo ndëshkuar.

Po ashtu, një tjetër zonë e ndjeshme për korrupsionin është prona. BE kërkon një reformë të thellë në sektorin e tokës dhe konsolidimin e të drejtave pronësore në mënyrë transparente dhe të besueshme. Kjo lidhet drejtpërdrejt me një nga plagët më të vjetra të shtetit shqiptar: zhvatja e pronave, manipulimi i dokumenteve dhe përplasjet midis interesave të lidhura me pushtetin dhe qytetarëve të zakonshëm.

Edhe pse zgjedhjet parlamentare të majit 2025 u konsideruan konkurruese, ato nuk i shpëtuan vërejtjeve. Këshilli kërkon një reformë zgjedhore të thellë, të realizuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Pjesë nga raporti

Këshilli i Bashkimit Evropian ka vlerësuar progresin e ndjeshëm që ka bërë Shqipëria, duke theksuar se kjo ka çuar në hapjen e të gjitha grupeve negociuese. Këshilli përshëndet planin ambicioz të qeverisë shqiptare për të mbyllur me sukses negociatat e anëtarësimit dhe inkurajon të gjitha forcat politike dhe aktorët institucionalë që të intensifikojnë përpjekjet dhe të punojnë së bashku për të siguruar progres të mëtejshëm.

Këshilli rikujton rolin thelbësor të Kuvendit të Shqipërisë në debatimin dhe miratimin e reformave të lidhura me BE-në dhe në garantimin e një procesi gjithëpërfshirës, konstruktiv dhe transparent.

Këshilli nënvizon se progresi në grupin themelor të kapitujve (sundimi i ligjit, institucionet demokratike etj.) do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Shqipëria inkurajohet të përshpejtojë reformat në këtë grup, në veçanti për të përmbushur objektivat ndërmjetëse në kapitujt 23 dhe 24, të cilët lidhen me sundimin e ligjit — një hap kyç që do të lejonte fillimin e mbylljes së përkohshme të kapitujve negociues. Gjithashtu, Shqipëria duhet të intensifikojë punën për përmbushjen e objektivave përmbyllëse në të gjithë kapitujt e tjerë.

Në fushën e reformave themelore, përfshirë drejtësinë, Këshilli vlerëson pozitivisht zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi dhe thekson nevojën për të ruajtur integritetin dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor, përmes standardeve të larta të vendosura nga procesi i vetting-ut. Këshilli thekson rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë strukturën e posaçme anti-korrupsion dhe krimit të organizuar (SPAK), si dhe nevojën për forcimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë kundër ndikimeve të brendshme apo të jashtme. Shqipëria duhet të garantojë mbrojtje efektive ligjore dhe zbatim të qëndrueshëm të vendimeve gjyqësore.

Këshilli përshëndet progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e inkurajon Shqipërinë të forcojë më tej bilancin dhe kapacitetet institucionale në këtë fushë. Vlerësohen gjithashtu rezultatet e mira të arritura nga SPAK dhe gjykatat përkatëse, përfshirë rastet e korrupsionit në nivele të larta. Po ashtu, Këshilli përgëzon bashkëpunimin e mirë me agjencitë e zbatimit të ligjit të BE-së dhe vendeve anëtare, veçanërisht në hetimet financiare.

Në drejtim të të drejtave themelore, Këshilli përshëndet miratimin e legjislacionit për të drejtat e pakicave kombëtare, në fushat e vetëidentifikimit dhe përdorimit të gjuhëve, si dhe për mbrojtjen e të dhënave personale dhe barazinë gjinore. Nënvizohet rëndësia që Shqipëria të vijojë të forcojë mbrojtjen e të drejtave themelore.

Liria e medias dhe shprehjes ka nevojë për përforcim të mëtejshëm. Këshilli bën thirrje që të rriten përpjekjet për të siguruar pluralizëm dhe pavarësi në media, përmes dekriminalizimit të plotë të shpifjes, transparencës mbi pronësinë dhe financimin e medias, si dhe sigurimit të një ambienti të sigurt për gazetarët.

Përmendet rëndësia e promovimit të të drejtave të fëmijës dhe zbatimit efektiv të legjislacionit dytësor për pakicat, si dhe nevoja për një reformë gjithëpërfshirëse në sektorin e tokës dhe konsolidimi i të drejtave pronësore në mënyrë transparente dhe të besueshme, në përputhje me pozicionin e përbashkët të BE për grupin 1 të kapitujve. Roli i shoqërisë civile duhet të forcohet dhe të zhvillohen konsultime të qëndrueshme dhe domethënëse.

Këshilli vëren se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 ishin konkurruese, pavarësisht mangësive të identifikuara, të cilat duhet adresuar. Në këtë kontekst, kërkohet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe e kryer në kohën e duhur, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Në fushën e menaxhimit të kufijve dhe migracionit, vlerësohet progresi i bërë, por kërkohet përmirësim i mëtejshëm i sistemeve dhe procedurave të azilit, si dhe përafrim i shpejtë dhe i plotë me politikën e vizave të BE-së.

Sa i takon kritereve ekonomike, Këshilli vlerëson se Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale. Inkurajohet që të shtojë përpjekjet për të përballuar presionin konkurrues brenda tregut të BE-së dhe për të zbatuar reforma strukturore në mënyrë të qëndrueshme.

Këshilli mbetet i angazhuar për integrimin e mëtejshëm gradual të Shqipërisë në tregun e brendshëm të BE-së, përmes zbatimit të përforcuar të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Vlerësohet zbatimi në vijim i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor në Shqipëri, i cili është në rrugë të mbarë për të sjellë përfitime konkrete për qytetarët. Theksohet pozitivisht disbursimi i dy kësteve të para pjesore nga Mekanizmi për Reforma dhe Rritje dhe inkurajohet Shqipëria të vijojë me zbatimin e Agjendës së saj të Reformës.

Këshilli përshëndet angazhimin e vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe multilateral. Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten shtylla thelbësore e procesit të zgjerimit dhe të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Këshilli përgëzon fuqishëm Shqipërinë për bashkëpunimin e vazhdueshëm në politikën e jashtme, si dhe për përputhjen e plotë dhe të vazhdueshme me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë masat kufizuese, një sinjal i fortë i përkushtimit strategjik të Shqipërisë ndaj rrugës së saj evropiane.

Vlerësohet gjithashtu pjesëmarrja aktive në misionet dhe operacionet e BE-së në kuadër të Politikës së Sigurisë dhe Mbrojtjes së Përbashkët, si dhe gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje me BE. /Pamfleti

Lini një Përgjigje