Pasi bashkoi votat me PS për rezolutën e integrimit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj mediave, duke deklaruar se raporti i IBAR i 21 majit është censuruar dhe manipuluar me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Në një konferencë për shtyp, Berisha foli për atë që e quajti “mafia e fjalës së lirë”, duke akuzuar mediat se kanë fshehur të vërtetat e raportit dhe kanë mashtruar qytetarët mbi problematikat që, sipas tij, evidentohen në dokumentin e lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Media konsumoi orë të tëra në studio për të mashtruar qytetarët për raportin IBAR. Ky është një akt i shëmtuar, pasi më parë censuroi edhe raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian”, deklaroi Berisha.
Sipas kreut të PD-së, raporti i 21 majit pasqyron “me vërtetësi problematikat madhore të regjimit të Edi Ramës”, ndërsa falënderoi organizatën COELA për, siç tha ai, “pasqyrimin e realitetit shqiptar ashtu siç është dhe jo të një realiteti të sheqerosur me lobime korruptive”.
Berisha shkoi edhe më tej në akuzat e tij, duke deklaruar se mediat “kanë zgjedhur të mbajnë anën e kreut të Meduzës dhe organizatës së tij kriminale”, referuar kryeministrit Rama.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur mazhoranca dhe opozita kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për procesin e integrimit europian. Pavarësisht debateve të forta politike, Kuvendi miratoi me 114 vota pro një rezolutë të përbashkët për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dokument që synon forcimin e rolit të Kuvendit në monitorimin e negociatave dhe kontrollin ndaj qeverisë.
Ironikisht, vetë Berisha nuk mori pjesë në votim dhe nuk ngriti kartonin jeshil për rezolutën, ndërsa deputeti i opozitës Bujar Leskaj ishte i vetmi që abstenoi. Gjatë ditës, Berisha hodhi akuza se procesi i integrimit ishte bllokuar për shkak të Belinda Balluku.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama mungoi në sallë pasi ndodhej në Gjermania për të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të ndarjes së Çmimit të Karlit të Madh.
Lini një Përgjigje