
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot konferencën e përjavshme me gazetarët ku foli ndër të tjera për zgjedhjet e 11 Majit dhe votën e diasporës.
I pyetur nëse PD do të bashkëpunojë me PS për të ndryshuar kodin ligjor për një shtyrje të afatit për procedurat për votën e diasporës, Berisha tha se PD është në negociata e sipër për këtë ndryshim të kodit, për deri sa i shërben transparencës së votës së diasporës.
Berisha tha se PD do të miratojë çdo kërkesë që i shërben transparencës.
“Di që janë në negociata. Di që po zhvillohen negociata. Kemi shpallur publikisht se kërkesat e arsyeshme që shkojnë në favor të transparencës dhe mundësisë së votës së diasporës do miratohen nga ne, qoftë edhe në rast se do duhen ndryshime të tjera ligjore. Ne e kemi shprehur në cilin stad se janë këto ditë dhe po negociojnë”, u shpreh Berisha.
Berisha foli edhe për çështjen e koalicioneve parazgjedhore. Kreu i PD tha se partia do vazhdojë të kërkojë çështjen e koalicioneve parazgjedhore, por prioritet ka vota e diasporës.
"Çështja e mohimit të koalicioneve parazgjedhore është denoncuar fuqishëm në rezolutat ndërkombëtare si një problem me të cilin Edi Rama ka dashur të dëmtojë me çdo kusht opozitën. Sigurisht ne do e kërkojmë dhe e kemi kërkuar dhe insistojmë se ajo është një shkelje e rëndë për partitë opozitare.
Ndoshta partitë e mëdha më pak, por partitë e tjera i dëmton qartësisht….
Do rishqyrtohet, por nuk mund të them se do vendoset si kusht sepse ne i kemi dhënë përparësi absolute votën së diasporës, të cilën nuk e ka dashur Edi Rama, por merita e eksponentëve të diasporës që e çuan në Gjykatë Kushtetuese dhe e qëndrimeve tona. Ajo votë të paktën është sanksionuar në ligj. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për t’i shërbyer mundësimit të transparencës së saj", tha Berisha.
Lini një Përgjigje