Lulzim Basha duket se do të nisë një proces reformimi në radhët e PD në muajin shtator. Dje ai u zgjodh kryetar dhe sot mblodhi Kryesinë, ku u vendos që në shtator të nisë organizimi i partisë.
Më 2 shtator do të thirret Kuvendi Kombëtar i PD ku do të bëhen ndryshime statutore. Në bazë të ndryshimeve në Statut do të bëhet dhe riorganzimi i partisë, ku me shumë mundësi do të ketë ndryshime në të gjitha organet e tjera drejtuese të partisë.
Sipas PD-së, agjenda e Kuvendit Kombëtar do të jetë: Ndryshime statutore; Vendime organizative në përputhje me vendimet statutore; Miratimi i agjendës politike të Partisë Demokratike.
Në mbledhje kanë marrë pjesë 14 anëtarë të kryesisë, konkretisht: Lulzim Basha, Fitim Zekthi, Taulanda Jupi, Arbi Agalliu, Gazmend Koduzi, Mirela Karabina, Oriola Pampuri, Gentian Gaba, Kreshnik Çollaku, Flutura Açka, Merita Bakiu, Xhemal Gjunkshi, Enkelejd Alibeajt dhe Indrit Sefa.
Ndërkohë grupi i Gazment Bardhit siç duket ka bojkotuar mbledhjen. Po ashtu munguan Roland Bejko, Agron Kapllanaj dhe Jemin Gjana, të cilët janë mbështetës të Lulzim Bashës.
Në kuadër të ndryshimeve statutore pritet të ketë ndryshime në radhët e Këshillti Kombëtar, në sekretariate dhe në pozicionet e nënkryetarëve.
Basha u zgjodh kryetar përmes një procesi të debatueshëm. Gazmet Bardhi dhe disa deputetë nuk e njohin, por Basha duket se ka vendosur të nisë një proces spastrimi. Me shumë mundësi ata që i kanë dalë kundër në shtator do largohen nga partia dhe ajo do drejtohet nga besnikët e tij.
Lini një Përgjigje