TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Korrik 2025, 11:41

Bankers Petrolium: Si u vodhën miliarda euro naftë nën hijen e Edi Ramës dhe krye-tatimorëve të tij

Shkruar nga Pamfleti

Bankers Petrolium: Si u vodhën miliarda euro naftë nën hijen e

Pas urdhrit të DASH për largimin e kinezëve, Prokuroria arreston 14 drejtues të “Bankers”, por lë të lirë firmëtarët shqiptarë të grabitjes...

Pas 20 vitesh vjedhje sistematike të miliarda eurove nga nafta shqiptare përmes koncesionit “Bankers Petroleum”, Prokuroria e Fierit më në fund ka lëshuar 14 urdhër- arreste për drejtuesit e kompanisë, përfshirë administratorin kinez Hongping Xiao.

Arrestimet u kryen me akuza për krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), fshehje të të ardhurave, pastrim parash dhe shmangie nga detyrimet tatimore. Por çuditërisht, në listën e të ndaluarve mungon edhe një emër i vetëm nga administrata tatimore, qofshin ata inspektorë lokalë në Fier apo drejtorë të Tatimeve në qendër, të cilët për dy dekada ishin hallka kyçe që garantuan paprekshmërinë fiskale të kësaj kompanie.

Operacioni për arrestimin e drejtuesve të “Bankers” u zhvillua nga prokuroria dhe policia e Fierit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, megjithatë ironikisht u la jashtë çdo përgjegjësie administrative pikërisht institucioni që për më shumë se dy dekada duhej të kontrollonte aktivitetin ekonomik të kompanisë, por në vend të kontrollit ka firmosur çdo bilanc mashtrues dhe ka vulosur çdo marrëzi fiskale që i ka kushtuar buxhetit shqiptar miliarda euro. Pothuaj 80% e kësaj vjedhjeje ka ndodhur gjatë tre mandateve të qeverisjes së Edi Ramës, i cili në janar 2014 e nisi mandatin me premtimin se koncesionari do të paguante çdo detyrim të papaguar dhe do trajtohej si çdo biznes tjetër. Por vetëm një muaj më vonë, Rama e harroi ultimatumin, ndërsa i vëllai, Olsi Rama, hyri në marrëdhënie të drejtpërdrejta me mafiozët kinezë që më pas blenë kompaninë në maj të 2016-s, duke intensifikuar edhe më tej vjedhjen.

Dhe këtu hyn në skenë zinxhiri i drejtorëve të Tatimeve, të cilët kanë firmosur çdo krim fiskal të “Bankers Petroleum” nga viti 2013 deri në vitin 2024.

Briseida Shehaj, e para në listë, ishte në krye të tatimeve nga tetori 2013 deri në gusht 2016 dhe gjatë mandatit të saj janë miratuar të paktën tre bilance vjetore të falsifikuara me një mashtrim fiskal prej 138 milionë eurosh. Nën udhëheqjen e saj u anuluan gjashtë hetime tatimore ndaj kompanisë dhe u shkarkuan tetë inspektorë që guxuan të kërkonin verifikim.

Pas saj vjen Vasilika Vjero, në krye të Tatimeve nga gushti 2016 deri në mars 2019, gjatë një periudhe kur “Bankers” raportonte humbje prej 15-20 milionë eurosh në vit dhe askush nuk verifikonte vërtetësinë e shifrave. Për kontributin e saj në lehtësimin e evazionit, Vjero u shpërblye duke u emëruar zv/ministre e Financave dhe më pas këshilltare për koncesionet.

Delina Ibrahimaj e pasoi, duke mbajtur detyrën nga korriku 2019 deri në shtator 2021. Gjatë kësaj kohe “Bankers” vazhdoi me evazionin, pa asnjë kontroll tatimor, ndërsa Ibrahimaj u promovua ministre e Financave dhe më pas ministre për Sipërmarrjen.

Po ashtu edhe Ceno Klosi, në detyrë nga tetori 2021 deri në qershor 2024, i cili jo vetëm që nuk kreu asnjë hetim ndaj “Bankers”, por fshiu të dhënat tatimore të viteve 2015-2020 dhe në këmbim u ngrit zv/ministër i Energjisë dhe sot është deputet i PS në Fier. Pra, ai që duhej të kontrollonte, u kthye në përfitues direkt të votave dhe financimeve të kompanisë që duhej të ndëshkonte.

Asnjëri prej këtyre drejtuesve nuk u përfshi në dosjen penale të hetuar nga Prokuroria e Fierit. Asnjë akt, asnjë masë. Dhe për më tepër, është absurde që nën hetim nuk janë as vetë kinezët që morën kontrollin e koncesionit, përveç administratorit të vetëm. E vetmja arsye që nxiti lëvizjen e hetimeve nuk ka qenë ndonjë zgjim institucional, por një mesazh diplomatik: më 1 dhjetor 2024, një javë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes të Ngarkuarës me Punë Nancy VanHorn, i dërgoi një ultimatum qeverisë shqiptare për largimin e kinezëve nga sektori i naftës, Prokuroria e Fierit nisi veprimet. Të gjitha këto janë thjesht një kurbë që tregon se drejtësia dhe shteti kanë qenë në gjumë të thellë përballë një grabitjeje 20-vjeçare, të firmosur nga politikanët, vulosur nga tatimorët dhe bekur nga vetë pushteti./Pamfleti

bankers petrolium kryetatimorët edi rama

Lini një Përgjigje