Ditën e sotme do të mbahet seanca për dosjen “Babale” në Gjykatën e Apelit.
Trupa gjykuese do të japë vendimin për deputetin Ervin Salianji në orën 13:00.
Pas një zvarritjeje të gjatë me shtyrje seancash dhe me mosparaqitje të avokatëve në gjyq, sot pritet t’i vihet kapaku çështjes “Babale”, mashtrimit të Salianjit në lidhje me një audio-përgjimin e vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj.
Në seancën e kaluar, “Babalja” për të “shpëtuar kokën” mori në gjykatë Grupin Parlamentar të PD-së, ndërsa dje doli publikisht dhe kërcënoi gjyqtarin e çështjes.
Kujtojmë se çështja “Babale” nisi në pranverën e vitit 2018, kur Ervin Salianji publikoi një audio-përgjim, ku sipas tij Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj ishte i përfshirë në trafik droge.
Sipas audio-përgjimit, që në fakt ka rezultuar një material i montuar, vëllai i Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj u akuzua se ishte kapur në përgjime me një me një ish-trafikant, Albert Veliun (Babalja).
Por, nga hetimet rezultoi se Fredi Alizoti, ka qenë personi që në disa raste bën zërin e Agron Xhafajt (në rol).
Pas verifikimit të fakteve, në 18 dhjetor 2019 Ervin Salianji u dënua me një vit burg nga Gjykata e Tiranës për dosjen “Babale”, me akuzën e kallëzimit të rremë. (Lexo këtu)
Në 2022-shin dosja shkoi në Apel dhe që prej asaj kohe seancat janë shtyrë për mungesën e avokatëve të palëve.
Salianji është dënuar në Shkallën e Parë për “kallëzim të rremë”, akuzë që ai nuk e pranon.
“Si mund të bëj unë kallëzim të rremë me dy persona që nuk i kam njohur kurrë. Albert Veliun e kam takuar kur më ka ardhur me gazetarin. Si ka mundësi që Alizoti nuk ka asnjë komunikim telefonik me mua, zero. Por ka komunikime me kreun e grupit parlamentar të PS, komunikim me drejtorin e Policisë së Fierit, me zv. drejtuesin e Policisë. Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë përfshirë, janë të gjithë të shkarkuar. I përdorën, i morën i hodhën. Gjyqtarët që janë marrë me çështjen janë të dy të shkarkuar”, tha deputeti demokrat.
Ndërkohë prokurori i çështjes, Arben Qose, tha se Apeli duhet të mbajë në fuqi dënimin e Shkallës së Parë.
“Nuk evidentojmë shkelje procedurale gjatë gjykimit. Në lidhje me ankimin e Olldashit dhe Salianjit, vërej që argumentet janë të njësoj. Pa dashur të hyj në dinamikën e faktit penale, vlerësoj se shkaqet e ngritura në ankim nga dy të pandehurit nuk janë shkaqe që mbështeten në ligjin procedural penal. Në vlerësimin tonë provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, që e kanë konsumuar veprën penale për të cilën akuzohen. Vendimi i Shkallës së Parë është i drejtë”, tha Qose.
Lini një Përgjigje