TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Qershor 2025, 18:33

Aulon Kalaja: Nuk jam ushtar rreshti, të hapin krahun ata që dështuan brenda PD

Shkruar nga Pamfleti

Aulon Kalaja: Nuk jam ushtar rreshti, të hapin krahun ata që

Kandidati i Partisë Demokratike Aulon Kalaja tha se në zgjedhjet e 11 majit për qarkun e Durrësit, janë vjedhur votat brenda Partisë Demokratike dhe duhet bërë transparenca.

Ai u shpreh se nga verifikimet e deritanishme të 10% të kutive nga filmimet që posedon, janë evidentuar 39 kuti me probleme të ndryshme, ndaj kërkon rinumërimin e mbi 500 kutive në Durrës dhe 84 të tjerave të diasporës.

Kalaja theksoi se beteja e tij ishte për transparencë dhe jo personale, për të vendosur një standard, sepse “nuk është ushtar rreshti” dhe i del partisë edhe përballë kur ka probleme.

“Jam kandidati i parë që kam kërkuar rinumërimin pa u shpallur ende rezultati nga KQZ, që më 14 maj, sepse kam pasur objeksionet e mia fillimisht me një qendër votimi. KAS bëri interpretimin e tij dhe nga shqyrtimi e këqyrja e mëvonshme rezultoi se unë e kam parë më pas  se ka pasur lëvizje si mes partive, ku PS i ka marrë PD, por edhe brenda partisë, PD-së në këtë rast. Unë kam dyshimet e mia dhe këto prova i kam dorëzuar. KAS e ka pranuar kërkesën e depozituar për shqyrtim dhe tani pritet verifikimi i tyre. Kam prova me video kur vota ime devijojet”, tha Kalaja për “Report Tv”.

Ai sugjeroi ndryshimin e menjëhershëm të Kodit Zgjedhor në këtë nen që krijoi edhe debate të forta në KAS.

“Unë nuk e kam nisur betejën për mandatin tim, por për garën, transparencën dhe për të vendosur një standard për herë të parë, sepse do vijnë edhe zgjedhjet e ardhshme. Në politikë kam hyrë për disa kauza dhe jo për rrogën e deputetit, sepse atë e marr edhe si gazetar. Kodi Zgjedhor thotë se duhet të ankimojë subjekti, beteja ime është që të ndryshojë kjo pikë e Kodit, që të shqyrtohet edhe ankimimi i kandidatit. Unë nuk u konsultova me partinë, ishte iniciativë e imja, pas meje edhe Ilir Alimehmeti. Kur na thanë se duhej përfaqësimi nga partia, kam hyrë në diskutime me PD-në që të vihej në lëvizje për transparencë. Më tej iu kërkua edhe Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat që ishin pjesë e koalicionit tonë që të përfshihej në përfaqësim. Të kenë të drejtë edhe kandidatët përveç partisë për ankimim. Kjo parti vuri në lëvizje KAS-in dhe më pas edhe ajo e Legalitetit u bashkua për këtë qëllim dhe jam legjitimuar nëpërmjet saj”, shpjegoi gazetari Kalaja, i cili tashmë i ka hyrë politikës për të përfaqësuar aktualisht qytetarët e Krujës dhe Fushë-Krujës.

Kalaja pretendoi se pati manipulim dhe blerje votash, përdorim të patronazhistëve dhe administratës nga pushteti, apo çështja e bonusit të pensioneve dhe faljes së gjobave, për të cilat ka bërë denoncim edhe në KAS. Ai kritikoi edhe Prokurorinë e Posaçme për mosveprimin në kohë, duke kujtuar operacionin e Durrësit pas zgjedhjeve.

“Fushata është një masakër elektorale, madje edhe zgjedhjet. Falja e gjobave para zgjedhjeve është kriminale. Ka pasur manipulim dhe blerje të votës. Pati edhe tutorë votash, morën deri në 21 mijë vota preferenciale pa kontribut publik. Janë mandate me flamur të kuq. Ai kaloi e edhe shefin e tij të qeverisë me vota këto zgjedhje në qarkun ku kandidova edhe unë, në Durrës. SPAK-u nuk veproi në kohë reale, sidomos në qarkun ku kandidova unë, në Durrës, që pas zgjedhjeve u godit menjëherë grupi që ndihmoi kandidatët e PS-së atje. Si ka mundësi që ky njeri (Arkend Balla) merr më shumë vota se Edi Rama? Ndaj pritet më shumë nga intelektualët dhe media për të reaguar. Cilësia e Parlamentit duhet të rritet, ndaj bëhet kjo betejë. Rama është strateg politik, di ta bëjë strategjinë dhe e ndryshon, por një gjë nuk e ndryshon dot, lidhjen me krimin. Por unë i bëj sfidë edhe PD-së, shpesh nuk i shkoj edhe pas partisë në çdo gjë, i kam dalë edhe kundër”, u shpreh ai.

Ai kujtoi se nuk është ushtar rreshti, por i del kundër Partisë kur e ka gabim, teksa theksoi se ishte kundër Komisioneve Parlamentare dhe pro denoncimit të farsës zgjedhore në arenën ndërkombëtare, por pa e dëmtuar integrimin e Shqipërisë në BE.

Lini një Përgjigje