TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Qershor 2025, 09:57

Dokumenti sekret: Pse mafia shqiptare ngjan me atë ruse?

Shkruar nga Pamfleti

Raporti sekret i Antimafias italiane: mafia shqiptare është një korporatë e centralizuar me qendër në Tiranë, që kontrollon trafikun global të drogës përmes aleancës me pushtetin politik dhe rrjeteve ndërkombëtare të pastrimit të parave...

Dokumenti sekret: Pse mafia shqiptare ngjan me atë ruse?

Një raport i detajuar i agjencive të specializuara italiane mbi krimin e organizuar shqiptar, i shpërndarë tashmë në të gjitha strukturat e sigurisë së vendeve të BE-së dhe në Europol, përshkruan me saktësi anatominë e një organizate që konsiderohet ndër më të fuqishmet dhe më të rrezikshmet në Europë. Jo vetëm për volumet monetare që menaxhon, por mbi të gjitha për kapacitetin për të kontrolluar territor dhe për ta përdorur pushtetin si mjet zgjerimi dhe mbrojtjeje.

Antimafia italiane konkludon se krimi shqiptar nuk është një rrjet i fragmentuar grupesh autonome, por një organizatë e centralizuar që funksionon si një korporatë moderne shumëkombëshe. Ajo funksionon përmes sistemit të “franchise”-s, ku çdo grup lokal i trafikut të drogës operon vetëm me leje të veçanta, nën inspektime periodike dhe pas parapagimesh të majme për qendrat e kontrollit.

Kjo strukturë, me rrënjë të thella dhe mbështetje të siguruar nga nivele të larta politike e shtetërore, ka evoluar në mënyrë të ngjashme me modelin e mafieve ruse dhe ballkanike, veçanërisht për nga mënyra e konspiracionit dhe ndarjes vertikale të rolit të aktorëve.

Modeli i funksionimit është i ngjashëm me strukturën operative të KGB-së sovjetike, ku çdo operativ ka lidhje vetëm me një kontakt dhe asnjë informacion për strukturën më lart. Të dhënat e antimafias italiane theksojnë se përmes këtij modeli, mafia shqiptare është kthyer në një mekanizëm të sofistikuar shpërndarjeje droge, kryesisht kokainë dhe lëndë sintetike, duke marrë kontrollin e zinxhirit të furnizimit në burim: Amerikën Latine.

Duhet thënë se ky kontroll nuk është fituar rastësisht. Hetuesit italianë theksojnë se grupet shqiptare, dikur “franchise”-e të `Ndrangheta-s kalabreze, nuk do të kishin pasur kurrë kapacitetin që të blejnë kokainë në Kolumbi, Brazil apo Ekuador, pa një mbështetje shumë më të madhe.

Në analizën e tyre thuhet se ekziston një dyshim i fortë që burimi i vërtetë i fuqisë së mafies shqiptare nuk qëndron te grupet lokale, por në një qendër komandimi në Tiranë, në vetë kupolën e pushtetit politik.

Që nga vitet ’90, çdo raport ndërkombëtar thekson se kush ka pasur pushtetin politik në Shqipëri, ka kontrolluar edhe rrugët e krimit dhe pastrimit të parave.

Modeli i centralizuar i prodhimit të kanabisit në vitet 2013–2016 dhe më pas kalimi në tregun e kokainës tregon qartë përfshirjen dhe bashkëjetesën e kupolës shtetërore me mafien. Frika, klientelizmi, kontrolli i mediave dhe mungesa totale e gazetarisë investiguese e kanë çimentuar këtë realitet të zymtë. Shqipëria nuk ka prodhuar asnjë film, libër apo vepër të mirëfilltë kulturore kundër mafies. I vetmi denoncim i krimit të organizuar është bërë nga politika, por gjithmonë si një instrument për ta përdorur atë, jo për ta luftuar. Këtë e ka bërë Edi Rama dikur në opozitë, po ashtu edhe Sali Berisha sot. Asnjëri prej tyre nuk i ka shkuar deri në fund. Sepse, siç përmbyllet raporti i Antimafias italiane: mafia shqiptare nuk mund të goditet nga brenda, pasi ndodhet në majën e pushtetit dhe është pjesë e mekanizmit që i jep fitore partive në zgjedhje, sidomos kur mafies i jepet hapësirë për të qenë më e organizuar dhe më e motivuar./Pamfleti

dokumenti sekret antimafia italiane mafia shqiptare mafia ruse

Lini një Përgjigje