
Nikos Dendias bëri të ditur se të hënën do të shkojë në Bruksel për të marrë pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, ku do të ngrejë çështjen e ndalimit të Belerit...
Greqisë nuk i del inati me arrestimin e Fredi Belerit. Ndonëse ky i fundit u kap duke blerë vota, Athina kërkon që drejtësia të mbyllë sytë dhe të lirohet.
Ministri i Jashtëm Nikos Dendias ka kërcënuar sot se të hënën do ta bëjë të madhe këtë çështje në Bruksel. Duke folur në televizionin STAR, ai kërkoi që Beleri të lirohet menjëherë nga qelia.
“Nuk po shtyjmë e as bërtasim, duam miqësi, por jo me çdo çmim”, theksoi ai.
Gjithashtu, Nikos Dendias bëri të ditur se të hënën do të shkojë në Bruksel për të marrë pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, ku do të ngrejë çështjen e ndalimit të Belerit.
“Meqenëse çështja është jashtëzakonisht e rëndë, të hënën në mëngjes do të jem në Bruksel. Aty kemi një drekë me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor {...} Çështja duhet të ngrihet në Këshillin e Ministrave. Nuk është e mundur të mos vendoset. Nuk është e zakonshme ndalimi i një kandidati për kryetar bashkie 48 orë para zgjedhjeve dhe mbajtja e tij në paraburgim. Pse mbahet ende në burg ai? Cili është ky element i rrezikshmërisë së tij që kërkon ndalim të zgjatur? Këto janë pyetje të mëdha”, theksoi ai, raporton “Protothema”.
Gjatë drekës me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ministri i Jashtëm pritet të takohet edhe me Olta Xhaçkën. “Duhet t’u shpjegojmë shqiptarëve, ka shumë mundësi që të takoj personalisht edhe ministren e Jashtme shqiptare. Do të jetë një mundësi shumë e mirë për të thënë disa fjalë”, theksoi Nikos Dendias.
Ai ka folur dhe për vizitën që Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme greke bëri sot në vendin tonë, ku u takua dhe me Fredi Belerin.
“E dërgova në Shqipëri Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme sepse çështja është jashtëzakonisht e rëndë. Dhe doja që në radhë të parë, si gjest politik, të kuptohesha nga pala tjetër. Së dyti, të ketë një koordinim në një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ndalimin e kryebashkiakut të Himarë, si për shembull problemet e tij shëndetësore. Ne duam të kemi një pasqyrë të qartë të ligjshmërisë-paligjshmërisë”, tha ai.
I pyetur nëse kjo çështje do të ndikojë në bisedimet për kufirin detar, ministri i Jashtëm u shpreh se shpreson që veprimi i autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë të mos sjellë asnjë ndryshim të qëndrimeve në këtë aspekt./Pamfleti
Lini një Përgjigje