
Duke komentuar aksionin opozitar, Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se protestat radikale e forcojnë Partinë Demokratike brenda llojit të vet.
Në emisionin ‘Report TV’, Spahiu tha se protestat radikale të PD nuk ndikojnë në elektoratin gri.
"Nuk mendoj që me këtë lloj mënyrë proteste, PD rritet tek elektorati gri. Ruan votat e demokratëve, por a i rrit votat tej demokratëve? Unë them jo. Rinia e sotme, studentët e sotëm nuk janë studentë që mbështesin djegien e karrigeve as këmbët e karrigeve ndaj një gruaje në kuvend. Nuk janë forma që lartësojnë profilin e demokratëve. Koha do tregojë në maj 2025 nëse kanë zgjedhur mënyrën e drejtë apo të gabuar, unë mendoj se kjo rrugë s’do t’i rrisë jashtë llojit të tyre", tha Spahiu.
Juristi ka sjellë në vëmendje figurën e Pjetër Arbnorit, ndërsa po komentonte djegien e karrigeve të Kuvendit nga deputetët e PD. Spahiu tha se Arbnori vuajti 30 vjet në burgje, por nuk dogji karriget e Kuvendit socialist në 1991.
"Protestat e forcojnë PD brenda llojit, protesta në stilin e vet është mjeti kryesor që Berisha ka dominuar mbi rivalët e tij, mbi kritikët e tij brenda spektrit të djathtë dhe që ka mundur 34 vjet të mbajë domain e liderit të krahut të djathtë. Kur është dukur si do sfumohet, Berisha ka luajtur strategjinë e protestave për t’u shndërruar në qendër graviteti opozitar. Jashtë llojit të vet elektorati gri nuk i bashkohet këtij reagimi. PD po mundohet të alternojë protestën e rrugës me aksionin radikal në Kuvend. Unë jam rritur në protestë, kam qenë pjesë e organizimeve kundër çdo kryeministri. Një nga idhujt e mi politikë ka qenë Arbori, se është nga të vetmit parlamentarë që vinte nga 30 vite vuajtje dënimi për shkak të bindjeve politike, por edhe Arbnori që vuajti 30 vite në burgjet e komunizmit nuk dogji karriget e kuvendit. Kuvendi i ‘91-‘94 ka qenë i një standardi shumë të lartë dhe i një niveli të elitave politike shumë të më lartë krahasuar me nivelin sot", tha Spahiu.
Lini një Përgjigje