
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka folur në Kuvend pas arrestimit të Ilir Beqajt.
Ajo i cilëson si të turpshme akuzat e Beqajt për shpërdorim të fondeve të BE, pasi ai duhet të akuzohej edhe për aferat me koncesionet në shëndetësi. Tabaku tha se ata që kanë pasur pozicione vendimmarrje janë të zhytur në korrupsion.
Deputetja e PD thotë gjithashtu se SPAK nuk duhet të harrojë koncesionet në shëndetësi.
“Beqaj është për shpërdorim të fondeve të BE dhe shyqyr që fusin fjalën integrim në çdo fjali dhe shyqyr që përmendim procesin e integrimit në çdo fjalim në parlament. Të na thoni neve që ju keni flamurin e luftës ndaj korrupsionit, ku jeni të zhytur të gjithë, ata që kanë qenë në vendimmarrje të gjithë në llumin e korrupsionit, për mua kjo është e papranueshme. Për të gjitha këto unë kam folur dhe jam sulmuar. Kam folur për Ilir Beqajn dhe janë ngritur dy ambasadorë dhe janë larguar nga takimi me Ilir Beqajn dhe ju e vutë atje dhe sot ai është turp i madh. Ilir Beqaj është turp i madh dhe dyfish më i madh, kur lajmi bëhet për shpërdorim fondesh të BE. Për këtë jeni ju që mbani përgjegjësi dhe nuk ka komision që ju shpërlan nga ky turp”, tha ajo.
Në replikë ndaj deputetes, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS, Gogu hodhi akuza ndaj ish-ministrave të shëndetësisë së PD, për të cilët tha se edhe pse kanë punuar vetëm si ministër shëndetësie, sipas tij sot ata jetojnë si pashallarë.
“Korrupsioni në shëndetësi ka qenë i ulur këmbëkryq që kur ka është krijuar shteti shqiptar dhe ju keni disa ish-ministra tuaj që nuk kanë bërë punë tjetër veçse ministër shëndetësie dhe vazhdojnë që të jetojnë si pashallarë. Mos u justifikoni me rolin e bilbil fryrësit mund të bëni çudi, nuk luftohet korrupsioni ashtu, por korrupsioni luftohet kur bëhemi bashkë dhe bëjmë një kornizë ligjore, siç bëmë me reformën në drejtësi se ju na latë në mes të rrugës, pasi ikët se e kuptuat që po përgatitet kjo gjëja. Ju vini këtu dhe na tregoni ne korrupsionin, po ju vazhdoni i bini bilbilit”, u shpreh Gogu.
Lini një Përgjigje