TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Korrik 2023, 18:58

Apokalipsi politik i shtatorit në Ballkan: A do largohen nga pushteti Rama dhe Vuçiç?

Shkruar nga Pamfleti

 

Apokalipsi politik i shtatorit në Ballkan: A do largohen nga pushteti Rama
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç

Një shkak tjetër, për t’i hequr qafe dy 'gjatoshët kokoroçë' ballkanik është edhe korrupsioni e lidhjet me nëntokën më të errët të krimit të organizuar...

Ndërsa ministrat e Edi Ramës janë futur në ankth jo nga largimi që mund tu ndodhë në shtator, po se mund t’i bëjë ‘kukurec’ për SPAK pa u mbyll vera, zërat kanë shkuar deri lart.

Prej ditësh po flitet në qarqe diplomatike, për një aksion që ndërkombëtarët po bëhen gati ta nisin në fillim të vjeshtës. E ky nuk është një konspiracion në 40* gradë nën hije, por fjalë që kanë ditë që po diskutohen gjithnjë e më shumë.

Sipas këtyre zërave, në vjeshtë, me një gjuajtje mund të goditen dy zogj, madje edhe tre. Që do të thotë është bërë gati largimi i Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, e ka zëra edhe për Albin Kurtin, si ‘gjela’ që në një ose mënyrë a një tjetër janë kthyer në një shqetësim për Perëndimin.

Ndërsa Albini ju është mërzitur se nuk ju a dëgjon fjalën, dy autokratët e Tiranës dhe Beogradit, janë kthyer në një model të shtrembëruar antidemokratik, që po e erdoganizon Ballkanin hap pas hapi, duke infektuar edhe vendet me traditë si Greqia. Ku Qirjako Micotaqis dhe klani i tij i fuqishëm kanë marrë pushtetin absolut në Athinë, model ky që nuk para ndodh në vendet Perëndimore.

Një shkak tjetër, për t’i hequr qafe dy gjatoshët kokoroçë ballkanik është edhe korrupsioni e lidhjet me nëntokën më të errët të krimit të organizuar.

Gazeta prestigjoze amerikane ‘New York Times’, një muaj më parë shkroi pretencën ‘bombë’ për Aleksandar Vuçiç, ndërkohë që njeriu më i afërt i tij, shefi i shërbimit sekret Aleksandër Vulin u shpall ‘Non Grata’, pak ditë më parë. Shenja të qarta që kemi të bëjmë me një paralajmërim stuhie në Beograd. Ku prej dy muajsh ka nisur një lëvizje e opozitës dhe shoqërisë për ndryshim, e vendi është para zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkaq, në Tiranë, një përmbysje mund të ndodhë lehtë, nga një hetim i nivelit të lartë në SPAK, pas të cilit Edi Rama nuk mund të fshihet kollaj me teorinë e tij të lëshimit.

Dhe këtë e ka kuptuar mirë, ndaj po mendon lëvizjet, duke përdorur si gjithmonë të famshmet taktika politike me mbledhjet e qeverisë në vende jashtë kryeministrisë.

Territori nuk është i gjerë për manovrime, por mësohet se nesër Edi Rama do të largojë të gjithë ata që i konsideron si problematikë, pra që mund të kenë dosje në SPAK, e gjithashtu të gjithë krerët politikë, që konsiderohen si përfitues nga largimi i tij prej postit të kryeministrit. Rama, mësohet se nuk kërkon të lerë terren shkretëtirë në PS në rast se mund të ketë një problem për veten.

Edhe nëse largohet nga posti i kryeministrit, Edi Rama ka menduar që të jetë lojtar deri në zgjedhjet e 2025-s. Madje mësohet se ka gjetur edhe njeriun që do ta zëvendësojë në rast një situate të jashtëzakonshme, duke vënë një grua që e kontrollon totalisht.

Zërat janë për një grua që nuk është pjesë klanesh të PS-së. Ndërkaq, mësohet se Belinda Ballukut dhe Erion Veliajt do t’i heqë postin e drejtuesit politik të Tiranës dhe Dibrës. Durrësin do ta marrë vetë përsipër, ndërkohë që në kryeqytet zërat flasin për emërimin e Lindita Nikollës si drejtuese politike.

Për kreun e grupit parlamentar, kandidatë janë Elisa Spiropali dhe Erion Braçe, por kreu i qarkut politik të Shkodrës është me pozita më të forta.

Nga qarqet diplomatike bëhet e ditur se Rama po lobon që tronditja e madhe të mos ndodhë përpara Samitit të Berlinit që zhvillohet në Tiranë.

Kryeministri shqiptar synon që ta kthejë atë event në një zijafet që t’i kënaqë të gjithë me gosti sheqerparesh, por nuk duket se është rasti.

Një kërkesë e radhës e SPAK për një figurë të lartë politike të PS-së, nuk mund të prodhojë tjetër veçse tronditje, që si rezultat kanë zgjedhjet e parakohshme.

I gjithë diskutimi këtu është se çfarë qeverie do të jetë deri në zgjedhjet parlamentare. Versioni që ndërkombëtarët po mbështesin më fort, është një qeveri e përbashkët PS-PD, por e përbërë nga figura të pakontestuara. Këtë e di mirë edhe Lulzim Basha, i cili është interlekutori kryesor me ndërkombëtarët nga opozita.

Vetëm Basha po zhvillon takime me deputetë të PD-së, duke i thënë se duhet një mbështetje e madhe për një qeveri kujdestare, e cila do të ndërmarrë reformat e mëdha. Por që të ndodhë kjo duhet që Basha të ketë mbështetjen më të madhe të deputetëve të PD-së. Ndaj qarqet rreth e rrotull Edi Ramës po bëjnë të pamundur që ta defaktorizojnë sa më shumë grupin parlamentar të opozitës, duke e mbajtur atë të përçarë. Sa më ‘kasht e koqe’ të jetë grupi i opozitës, aq më shumë e kontrollon Edi Rama kabinetin e ri, që po konsiderohet si “qeveri antikorrupsion”.

E me këtë kartë të fortë, është tashmë e qartë se kush humb në zgjedhjet e 2025-s. Edi Rama këtë e ka të qartë, por po mundohet që humbja të ketë përmasa sa më të vogla. / Pamfleti

edi rama aleksandar vuçiç apokalipsi politik i shtatorit

Lini një Përgjigje