
Një model që ka në thelb demosin e jo etnosin, ka në thelb qytetarin e jo popullin dele që pret indulgjenca nga qeveria. Një shtet me rregulla e jo me fermane sulltanësh. E këtë e bën natyrisht një parlament i ri, i cili të ketë deputetë qytetarë, e jo parlamentarë të tredhur që zihen për rroga...
Në fundjavën e shkuar, Beogradi ofroi një pamje që ka bërë jehonë të madhe në rajon e Europë.
Sheshi qendror i kryeqytetit serb u tejmbush nga një lumë njerëzish, të cilët në qetësi, por me vendosmëri demonstruan kundër dhunës. Dhunës që shkaktuan tragjedi të tmerrshme ku dy të rinj në dy ngjarje të shkëputura vranë me armë zjarri disa disa persona.
E kjo traumë që shkaktuan këto ngjarje të rënda, kanë zgjuar shoqërinë, e cila kërkon të ngrihen fort për të shkundur e braktisur një mjedis të dhunshëm e toksik.
Kështu, organizatorët e protestës kanë paralajmëruar një tjetër demonstrim këtë të shtunë, i cili pritet që të jetë aq masiv sesa i pari. Një demonstrim që nuk ka lidhje me opozitën jashtë kohe e filoruse të Serbisë, e cila është më keq se Aleksandër Vuçiç, e kështu ka humbur thuajse çdo zgjedhje.
Kjo lëvizje e re e ka futur në panik, “knjazin” e ri serb, i cili po shikon se ditë pas dite po i ‘lëviz toka nën këmbë’. Mediat pranë Vuçiç kanë shpërndarë foto të vizitave ngushëlluese të presidentit serb në familjet e viktimave të dy masakrave, por që kanë bërë efektin e kundërt.
Kjo sepse, të dy autorët e masakrave ishin mbështetës fanatikë të SNS-së së Vuçiçit dhe pjesë e indoktrinuar nga një ideologji dhune, dominimi e natyrsht e lidhur me shumë krim e urrejtje.
Nuk ishte rastësi që prestigjozja ‘New York Times’, pikërisht në këtë atmosferë publikoi një shkrim dërrmues për Vuçiçin, ku tregonte se aleatët më të afërt të Presidentit serb janë njerëzit me të dhunshëm të Serbisë. Baronët e dhunës së huliganëve të stadiumeve, të cilët janë edhe bosë të të gjitha trafiqeve dhe idhtarë të krimeve më monstroze.
E kështu, në këtë atmosferë, hekuri i dhunës së mazhorancës së Vuçiçit po rrihet nga vala e madhe e mobilizimit qytetar kundër armëve, kundër urrejtjes, kundër dhunës.
Sipas të gjitha gjasave, në këtë mjedis po lind edhe opozita e re e Serbisë, opozitë e cila bazën po e gjen tek kërkesa për një shoqëri më të drejtë, të paqtë, e natyrisht jo propagandë e mjete që nxisin dominimin.
Organizatorët e protestës i kanë dërguar Aleksandër Vuçiçit një ultimatum të fortë, që duket se nuk do të plotësohet nga presidenti serb. Të mbyllë ‘reality show’ që në masë konsiderohen si nxitës dhune, të mbyllë të dy televizionet pro tij, Happy e Pink, që konsiderohen spin-ët e një shoqërie që mbron vlerat ‘trash’ të shoqërisë, të mbyllë tabloidet që i bëjnë ditirambe kriminelëve më famëkeqë të luftës në Bosnjë e Kosovë.
Me fjalë të tjera, opozita e re serbe, do të jetë një vizion, një filozofi, natyrisht edhe njerëz që janë komplet e kundërta e Vuçiçit dhe gjithë asaj që ai përfaqëson.
E sipas gjasave kjo lloj opozite po shihet si shpresë tek njerëzit. Të cilët kot nuk i mbushin sheshet. E pikërisht ky model është fiks, edhe për shoqërinë shqiptare e opinionin publik të cilit i ka ardhur në majë të hundës me Edi Ramën. Arrogancën, bullizmin, batutat e tij të dalura boje e tallava.
Shoqëria shqiptare mund të ngrihet nga një model krejt i kundërt me bullistin autoritar, duke sjellë si alternativë, vlerat që shqiptarët i kanë edhe traditë; respekti, edukata dhe etiketa shoqërore. Natyrisht duke sjellë në krye njerëz që flasin bukur, vishen bukur po pa shartime bixarre, pasi rëndësi kanë më shumë idetë sesa forma. Nevojitet një model, i cili duhet ta tejkalojë kastën e vjetër e të ndryshkur të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Të cilët janë aq të lodhur, sa nuk formulojnë as fjalët e duhura e jo më idetë.
E nuk do të ishte keq që të niset pikërisht nga kërkimi i një antimodeli shoqëror, i cili është klient dhe incentiv i pushtetit; i modelit që refuzon artificialitetin e vipave të fryrë me botok e operacione plastike, luks që vjen nga droga e korrupsioni. Një model që ka në thelb demosin e jo etnosin, ka në thelb qytetarin e jo popullin dele që pret indulgjenca nga qeveria. Një shtet me rregulla e jo me fermane sulltanësh. E këtë e bën natyrisht një parlament i ri, i cili të ketë deputetë qytetarë, e jo parlamentarë të tredhur që zihen për rroga. / Pamfleti
Lini një Përgjigje