TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Maj 2024, 18:27

Ambasadori i BE "siluron" qeverinë: Boll me korrupsion në administratë, duhet transparencë dhe llogaridhënie

Shkruar nga Pamfleti

Ambasadori i BE "siluron" qeverinë: Boll me korrupsion në
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato i ka dhënë një tjetër goditje qeverisë sa u takon reformave të integrimit.

Gjatë një aktiviteti ku u prezantua plani i Motivimit të Administratës Publike, ai tha se administrata nuk duhet të ketë korrupsion, ndërsa shtoi se duhet të jetë transparente dhe llogaridhënëse.

Sipas tij, administrata është thelbësore për integrimin në BE dhe duhet bërë më shumë në këtë aspekt.

“Mendoj se roli juaj është kyç në procesin e anëtarësimit. Ju jeni vërtet asetet e Shqipërisë për negociatat për anëtarësim në BE. Administrata publike është kyçe. Është ajo makineri përmes së cilës vendi përparon prioritetet e veta. Më vjen mirë që qeveria njeh rëndësinë e nëpunësit publik. Duhet të ketë një administratë publike pa korrupsion, transparente dhe llogaridhënëse për të ofruar shërbimet më cilësore për qytetarët dhe bizneset. Për të mundësuar që Shqipëria të luajë rolin e plotë si anëtare e BE”, tha Gonzato.

Ndër të tjera, ambasadori theksoi se kërkohen sisteme karriere të bazuara në meritë. Sipas tij, duhen sisteme transparente, të bazuara në vlerësimin e aftësive të njerëzve.

“Nuk është rastësore që për BE, reforma e administratës publike është thelbësore si elementët e tjerë të anëtarësimit. Reforma e administratës publike do të jetë një nga faktorët përcaktues të integrimit. Shqipëria ka miratuar një udhërrëfyes realist dhe ambicioz dhe përcakton hapat më të rëndësishëm që shërbimi civil të jetë në lartësinë e detyrës që e pret. BE nuk po rri ulur e pret që këto reforma të bëhen, por BE po ndihmon në realizimin e tyre”, u shpreh Gonzato.

Ambasadori tha ndër të tjera se 70% e legjislacionit të Bashkimit Europian do të duhet të zbatohet në nivelin lokal.

“Dje përmbyllëm një projekt trajnimi tremujor në BE të administratës. Një pjesë ishin nga niveli lokal. E kemi thënë që 70% e legjislacionit të BE do duhet të zbatohet në nivelin lokal”, përfundoi Gonzato.

edi rama gonzato

Lini një Përgjigje