Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur ta thërrasë ditën e sotme në një seancë të posaçme ish kryeministrit Sali Berisha.
Përmes një njoftimi, kjo gjykatë bëri të ditur se bazuar në nenin 248 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale ka caktuar seancë gjyqësore për marrjen në pyetje të personit në hetim, Sali Berisha.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në datën 24.10.2023, ditë e Martë, ora 14:00, ka caktuar seancën gjyqësore të marrjes në pyetje të personit nën hetim Sali Berisha, bazuar nenit 248 pika 1 të K.Pr.Penale”, thuhet në njoftim.
Në seancën e verifikimit të masës së sigurisë, personi në hetim, Sali Berisha, do duhet të jetë në seancë. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ish-kryeministri do të paraqitet në gjyq apo do të vijojë që të mos e marrë për bazë këtë njoftim, me argumentin se masa e sigurisë e caktuar ndaj tij është anti-Kushtetuese.
Ndërkohë pasditen e së hënës oficerë të Policisë Gjyqësore ishin në pallatin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, ku siç mësohet, kanë dorëzuar njoftimin e gjykatës për caktimin e masës dhe thirrjen e seancës së marrjes në pyetje.
Aktualisht Berisha është nën masën detyrim paraqitje dhe nuk mund të largohet nga vendi në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Ai akuzohet për “korrupsion pasiv në bashkëpunim” si dhe “pastrim parash”.
Sipas SPAK, ish-kryeministri me veprime konkrete ka ndikuar në miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore të cilat u përshtatën me kërkesat e 5 pronarëve, mes të cilëve përfitues ishte dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Ndërkohë, Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish-kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta.
Vetë Beirsha e ka quajtur “trillim fund e krye”, prangosjen e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit dhe akuzat që rëndojnë mbi të.
Ish-kryeministri tregoi mbrëmjen e djeshme se ishte në shtëpinë e tij duke lexuar kur e mori vesh lajmin pasi u njoftua nga disa miq të tij.
“E mora vesh, më njoftuan. Këta kishin shumë kohë, duke mos pasur asnjë fakt, dokument, nuk e kishin shpallur person nën hetim dhe tani që e kanë arrestuar s’e kanë arrestuar si të akuzuar për vepër penale, e kanë arrestuar si person nën hetim. Dhe çfarë bënin këta? Herë pas here për të më bërë presion mua thërrisnin gazetarë të paguar prej tyre dhe ju thoshin që Abi Malltezi do të arrestohet. Keni gati mandatin e arrestit, por këto s’më bënë mua asnjë përshtypje, sikundër s’më bëri as ajo që mora vesh,” – u shpreh Berisha./Pamfleti
Lini një Përgjigje