
Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, dhe një nga emrat më të votuar në listën e hapur të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 majit, edhe pse nuk arriti të marrë mandat deputeti, ka folur lidhur me strategjinë që duhet të ndjekë opozita në vjeshtë.
Nga studio e News24, Alimehmeti tha se i takon forumeve të PD-së për të përcaktuar se si do të veprohet, ndërsa ai vuri theksin se protestat si një komponent shumë i rëndësishëm për t’iu kundërvënë ‘autokracisë’.
“T’i qëndrosh përballë një autokracie nuk e zgjidh dot në mënyra të tjera, në një kohë kur institucionet janë të kapura. Ajo që mbetet për njerëzit është rruga e protestave. Në një vend demokratik, protestat janë të ligjëruara. Mënyra si ato organizohen, mbetet për t’u diskutuar, por unë i shoh si një element kyç”, deklaroi Alimehmeti.
Ai tha se gjithashtu duhet denoncuar ajo që opozita e konsideron si farsa për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa rezultati konsiderohet i manipuluar.
“Kemi detyrimin tonë për të informuar faktorin ndërkombëtar dhe mediat. Raporti i OSBE/ODIHR po vonon dhe është një pikë kyçe që na mungon për momentin. Fakti që vonon, tregon se ka diçka që po e pengon,” u shpreh ai.
Lini një Përgjigje