
Pedagogia Jonila Godole, ka komentuar marrëveshjen e firmosur sot mes Shqipërisë dhe Italisë, sipas të cilës mbi 30 mijë emigrantë ilegale do të strehohen në vendin tonë.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Godole u shpreh skeptike lidhur me marrëveshjen, sipas së cilës nuk ka një benefit të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, duke e krahasuar me rastin e Turqisë, e cila ka marrë nga viti 2011, 11 miliardë euro për mbajtjen e refugjatëve.
Ajo shtoi se kur flitet për një marrëveshje përfitimet duhet të jenë dypalëshe, përkundrazi “duket sikur dikush tjetër përfiton në emër të Shqipërisë në mënyrë jo transparente ose nëpërmjet një qoke”. Sipas saj marrëveshje të tilla duhet të diskutohen në Parlament dhe të bëhen transparente për qytetarët.
“Nga viti 2011 deri me sot, Turqia ka marre 11 miliardë Euro nga Bashkimi Europian për mbajtjen e refugjateve aty, ne mënyrë qe ata te mos futeshin ne Europë (njoftim i Komisionit Europian me 27.9.2023).
– Po Shqipëria çfarë përfitimi ka konkretisht nga marrëveshja me Italinë, apo është kjo një marrëveshje personale e kryeministrit Rama?
– Me kë e diskutoi zoti Rama këtë vendim përpara se ta merrte?
– U konsultua dhe me opozitën për këtë vendim?
– Përse zgjodhi portin e Shëngjinit, dhe jo, bie fjala, të Durrësit ose të Vlorës?
– Mbi cilat kritere objektive u bë përzgjedhja e vendit ku do strehohen refugjatët?
– Si do dëmshpërblehet Shëngjini për humbjet e mundshme ekonomike të turizmit nga kampi i refugjatëve? Dhe kush do ta dëmshpërblejë? BE-ja, Italia, apo taksapaguesit shqiptarë?
Kur flitet për një marrëveshje, përfitimet duhet të jenë dypalëshe. Në qoftë se Italia / BE përfitojnë, por Shqipëria nuk ka përfitim të shprehur zyrtarisht, atëherë dikush tjetër duket sikur përfiton në emër të Shqipërisë në mënyrë jo transparente ose nëpërmjet një qoke.
Marrëveshje të tilla duhet të diskutohen në Parlament, dhe duhet të bëhen transparente për qytetarët. Përndryshe ato lënë një shije të hidhur”, shkruan Godole.
Lini një Përgjigje