TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Janar 2026, 16:39

Agjencia e Erdoganit sulmon Ramën, vizita në Izrael shkakton irritim në Ankara!

Shkruar nga Pamfleti
Agjencia e Erdoganit sulmon Ramën, vizita në Izrael shkakton irritim
Recep Tayyip Erdoğan

Vjen goditja e parë nga Ankaraja, agjencia shtetërore e lajmeve sulmon Ramën për vizitën në Izrael...

Ankaraja ka futur në rreth të kuq Edi Ramën pas vizitës në Izrael. Pavarësisht se ai përmendi Turqinë në Knesset, elozhet e tij për Netanyahun dhe fakti që nuk foli fare për gjenocidin kanë shkaktuar irritim në rrethin e Erdoganit.

Presidenti turk e ka shpallur armik Netanyahun, duke e akuzuar për krime lufte, masakra dhe si shkaktar të asaj që ndodhi në Gaza. Po ashtu ai ka lobuar fort që shumë shtete të bëjnë të njëjtën gjë dhe të dënojnë aktet e Izraelit. Këtë gjë e bëri Erdogani edhe kur erdhi në Tiranë për inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë.

Por Edi Rama duket se i ka dalë nga rreshti dhe reagimet në Turqi gjatë 3 ditëve të fundit kanë qenë të forta. Teksa nga qeveria turke ka pasur zero koment, reagimi zyrtar ka ardhur nga agjencia e lajmeve “Anadolu”, e cila është një agjenci shtetërore dhe zakonisht përcjell qendrimet e Ankarasë Zyrtare.

Kjo agjenci ka publikuar sot një shkrim, ku godet shumë fort kryeministrin shqiptar. Dhe mund të thuhet se ky është dhe qendrimi i vetë Ankarasë Zyrtare. Titulli i shkrimit është: “Kryeministri shqiptar Edi Rama u përball me reagime të ashpra në parlamentin izraelit për lavdet ndaj Netanyahut”.

Ndërsa nëntitull ka: “Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u kritikua për vizitën e tij zyrtare në Izrael dhe fjalimin e tij lavdërues drejtuar kryeministrit Benjamin Netanyahu në parlament”.

Fjala e Ramës në seancën e posaçme të Knessetit izraelit u bojkotua nga ligjvënësit arabë, ndërsa shumica e ligjvënësve izraelitë nuk morën pjesë në seancë. Në fjalën e tij, Rama deklaroi se parlamenti izraelit është një ‘vend shumë i veçantë’ dhe se ndihej ‘nder i madh’ që ndodhej atje, si dhe përdori fjalë lavdërimi për Netanyahun... Rama nuk tha asnjë fjalë për gjenocidin në Gaza, ndërsa fajësoi Hamasin për shndërrimin e Gazës në një ‘burg të hapur’”, thuhet në shkrim.

Më tej përmendet fakti që arabët në parlamentin izraelit bojkotuan fjalën e tij, teksa theksi vendoset te lajkat ndaj Netanyahut.

Përpara fjalimit të Ramës, anëtarët arabë të parlamentit nga tre parti të ndryshme organizuan një ‘bojkot politik’ dhe u larguan nga Knesseti izraelit. Gjatë fjalimit, shumë nga vendet në parlamentin izraelit u panë të zbrazëta, një situatë e interpretuar si ‘apati’ dhe ‘neglizhencë’ ndaj vizitës dhe fjalimit të Ramës. Seanca e posaçme e mbajtur për Ramën thuhet se përfshinte një numër të konsiderueshëm ligjvënësish hebrenj izraelitë, përveç ligjvënësve arabë që organizuan bojkotin. Në fjalimin e tij, Netanyahu vlerësoi Ramën për mbështetjen e tij ndaj Izraelit, duke e përshkruar atë si ‘një mik të madh të popullit hebre dhe Izraelit’", vijon shkrimi.

Më tej janë futur dhe personazhe që kanë kritikuar vizitën e Ramës, që nga historiani Olsi Jazexhi, i cili njihet si pro-turk, e deri te individë të tjerë, përfshirë politikanë dhe analistë.

Fakti që kritikat ndaj Edi Ramës janë publikuar pikërisht nga "Anadolu Agency" nuk është një detaj i parëndësishëm, përkundrazi, është tregues i qartë se kemi të bëjmë me një qendrim të fortë nga vetë Ankaraja zyrtare.

"Anadolu" është agjencia shtetërore e lajmeve e Turqisë, themeluar në vitin 1920 nga Mustafa Kemal Atatürk, dhe sot funksionon nën mbikëqyrjen e presidencës turke. Në çështje që përfshijnë politikën e jashtme dhe pozicionet e presidentit Erdogan, kjo agjenci nuk vepron si media e pavarur, por si një instrument që artikulon linjën zyrtare të shtetit turk.

Publikimi i një shkrimi kritik ndaj Ramës në këtë platformë nënkupton se qeveria turke e ka marrë seriozisht këtë devijim diplomatik dhe po dërgon një sinjal të qartë në Tiranë. /Pamfleti

 

rama erdogan izrael anadolu

2 Komente

  1. P
    Populli

    Po Erdogani ç’pati? I perlau turku 50 milione € tek tuneli i Llogarase. Hajdute jane te gjithe me Turqi, Greqi, Amerike, Izrael. Vijne ne Shqiperi dhe vetem vjedhin

    1. p
      poshte komunizmi

      nuk eshte e vertet nje mashtrim i paster te tipit berishjan, poshte komunistat sllav

      Lini një Përgjigje