
Vendimi vjen në një kohë kur qeveria do të duhet të miratojë buxhetin për vitin 2025 dhe jemi në vit elektoral...
Kryeministri Edi Rama i rikthehet legalizimit të kanabisit. Edhe pse ligji ka mbi një vit që është miratuar, ai nuk është vënë në zbatim. Por sot në mbledhjen e qeverisë, duket se është rikthyer diskutimi dhe me gjasë shumë shpejt do të fillojë dhënia e licencave.
Qeveri ka miratuar vendimin “Mbi procedurën dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”.
Sipas këtij vendimi: Të ardhurat nga tarifa e lëshimit të licencës për subjektet aplikante derdhen 100% në buxhetin e shtetit; Të ardhurat nga tarifa vjetore mbi veprimtarinë e subjekteve të licencuara derdhen 70% në buxhetin e shtetit dhe 30% përdoren nga Agjencia; Të ardhurat e Agjencisë, të krijuara sipas pikës 2, të këtij vendimi, klasifikohen në strukturën buxhetore me kapitull 06 “Të ardhura të veta jashtë limitit” të patrashëgueshme dhe përdoren vetëm për investime e shpenzime të mbarëvajtjes së veprimtarisë operacionale të Agjencisë.
Sipas qeverisë, ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it për zbatimin e këtij vendimi.
Vendimi vjen në një kohë kur qeveria do të duhet të miratojë buxhetin për vitin 2025 dhe jemi në vit elektoral. Vitin që vjen kemi zgjidhjet dhe Ramës mesa duket i duhen para.
Detajet e ligjit
Ligji u miratua në korrik të një viti më parë. Aty janë parashikuar të gjitha kushtet për aspektet e dhënies së licencave dhe lejeve për subjektet e interesuara. Pranë Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e Kanabisit do të ngrihet edhe Komisioni i Licencave që do të administrojë dhe verifikojë kërkesat që do të paraqesin subjektet. Ky komision do të vendosë edhe sanksione për ato subjekte që pajisen me leje dhe licenca por që shkelin kushtet ose dalin përtej kuadrit ligjor të përcaktuar.
Në ligj është vendosur një kufizim sa i takon sipërfaqes maksimale të tokës që mund të kultivohet me kanabis. Konkretisht, sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar. Gjithashtu, sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për qëllime mjekësore nuk mund të jenë më të vogla se 5 hektarë dhe jo më të mëdha se 10 hektarë. Ky kufizim pritet të ndezë një luftë të fortë mes kompanive për t’u pajisur me licencë.
Licenca jepet për një periudhë 15-vjeçare. Kërkuesi, për t’u pajisur me licencë, paguan në momentin e paraqitjes së kërkesës një tarifë e cila është e pakthyeshme. Masa e tarifës, procedura dhe mënyra e përdorimit të kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Çdo 3 vjet, kushtet e licencës rivlerësohen nga Agjencia, e cila, nëse konstaton mospërmbushjen e kushteve dhe kritereve, propozon, sipas rastit, pezullimin ose shfuqizimin e licencës apo i kërkon subjektit plotësimin e kushteve brenda një afati 30-ditor. Jo më vonë se 6 muaj përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë së licencës subjekti mund të kërkojë rinovimin e saj kur provon se plotëson kushtet e pajisjes me licencë, sipas përcaktimeve të këtij ligji. /Pamfleti
Lini një Përgjigje