Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka është paraqitur sot në SPAK. Kjo është hera e dytë që ministrja Xhaçka thirret nga Prokuroria e Posaçme, për të cilën janë të hapura dy çështje.
Bëhet fjalë për një kallëzim për përdorimin e helikopterëve që është denoncuar nga deputetja e PD Albana Vokshi dhe kallëzimet e ish-ushtarakut Artur Meçollarit për bazën e Limionit dhe bazën detare të Shëngjinit.
SPAK dyshon se baza detare u është dhënë privatëve në shkelje flagrante me ligjin dhe për këtë arsye, prokurorja Manjola Kajana ka vendosur të pyesë Xhaçkën si ish-ministre e Mbrojtjes.
Një muaj më parë Xhaçka para futjes në SPAK, tentoi të justifikonte veten mbi përfshirjen në këtë aferë.
"Jam thirrur për ato akuza që i ka bërë opozita në adresë të ministrit të mbrojtës kur kam qenë. Unë jam në dispozicion për këtë kemi punuar që drejtësia të na mbajë në dispozion. Alarmi fals që asete të cilat kanë qëndruar mes ndryshqeve do të kthehen sot në asete me vlerë siç është rasti i portit të Sarandës, ku nuk ndyrshon as baza detare, por edhe vendi do të jepet për port turistik. Asnjëherë asnjë shkelje ligji, gjithmonë në funksion të detyrës”, është shprehur Xhaçka.
Dëshmia e saj zgjati afro dy orë. Xhaçka tha se u ka qëndruar pretendimeve se nuk ka kryer asnjë shkelje.
"Është e mirëseardhur dita për mua kur do të marrin përgjigje nga drejtësia edhe shpifje të ulëta si ajo e përdorimit të aseteve publike për arsye elektorale por edhe alarmi fals që asete, të cilat për fat të keq kanë qëndruar mes ndryshqeve, do të kthehen sot në asete me vlerë siç është rasti i portit të Sarandës", tha ajo.
Para Xhaçkë, SPAK ka marrë në pyetje gjeneralin Bardhyl Kollçaku dhe ish-zëvendës shefin e forcave detare, Artur Meçollari. Ky i fundit bëri një padi, pasi konstatoi shkelje me privatizimin e bazës, duke e hequr atë nga pronat e ushtrisë.
Skandali në fjalë është denoncuar disa herë nga “Pamfleti” dhe SPAK nëse ka këllqe, duhet t’i kërkojë llogari Olta Xhaçkës, e cila ishte ministre e Mbrojtjes në atë kohë. Ndërkohë i zhytur duket se është edhe Bajram Begaj, i cili ka qenë kreu i Shtabit të FA në atë kohë.
Në dy padi të depozituara nga Meçollari, thuhet se zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë kanë shpërdoruar detyrën, përfshi ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe presidentin e ri, Bajram Begaj, pasi kanë lejuar ndërhyrje në disa prona të veçanta për të cilat duhet marrë më parë miratimi i Presidentit.
Lini një Përgjigje