TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Shtator 2025, 19:20

Aferat e Krifcës dhe Beqajt alarmojnë BE, Brukseli “goditje” Ramës: Fondet tona nuk dihet ku shkojnë, merrni urgjent masa!

Shkruar nga Pamfleti
Aferat e Krifcës dhe Beqajt alarmojnë BE, Brukseli
Edi Rama

Brukseli nuk e fsheh: Shqipëria mbetet problem për abuzime me fondet europiane!

Bashkimi Europian i ka dhënë goditje të fortë qeverisë lidhur me abuzimin e fondeve që vijnë nga Brukseli.

Pamfleti” ka raportuar prej dy ditësh se në Tiranë kishte ardhur një delegacion i përbërë nga eurodeputetë, me fokus kontrollin e fondeve të BE.

Për të qenë më të qartë, ata ishin në Mal të Zi fillimisht dhe më pas në Tiranë, ku panë nëse të dyja vendet i përmbushin kushtet për menaxhimin si duhet të fondeve. Dhe duket se Mali i Zi është para Shqipërisë. Abuzimi me fondet IPARD dhe arrestimi i Beqajt, duket se janë njolla të zeza për vendin tonë. Pas vizitës, delegacioni ka dalë me disa konkluzione, ku deklaron qartë se në Shipëri nuk ka shumë kontrolle dhe nuk dihet se ku shkojnë fondet.

RGF është një mundësi historike për Ballkanin Perëndimor, por suksesi i tij varet nga besueshmëria dhe qeverisja e fortë. Gjatë misioneve në Mal të Zi dhe Shqipëri, ne vlerësuam nëse ekzistojnë themelet për menaxhim të shëndoshë financiar, auditim të pavarur dhe një qasje me tolerancë zero ndaj mashtrimit dhe korrupsionit. Mali i Zi mbetet pararendës, megjithatë të dy vendet kanë përparuar me përafrimin e kornizave të tyre ligjore dhe institucionale me standardet e BE-së, veçanërisht në shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar, rikuperimin dhe konfiskimin e aseteve, si dhe luftën kundër pastrimit të parave. Diskutimet me ministritë e financave dhe koordinatorët e RGF-së konfirmuan se mekanizmat për kontrollin e brendshëm dhe auditimin janë krijuar dhe funksionojnë”, tha kreu i delegacionit Niclas Herbst.

Por sipas tij, ka ende shumë probleme. Në fjalën e tij, Herbst ka përmendur korrupsionin, krimin por edhe raste të mëparshme në Shqipëri të abuzimeve me fondet e huaja.

Megjithatë, mbeten ende shqetësime serioze mbi faktin se si do të përdoren fondet e RGF-së. Sfidat përfshijnë korrupsionin e rrënjosur, krimin e organizuar, rreziqet e prokurimit me vonesa kronike në infrastrukturë, organet mbikëqyrëse që përballen me trysni politike, ndjekjen e dobët gjyqësore me gjykata të mbingarkuara, margjinalizimin e shoqërisë civile, keqpërdorimet e fondeve në të kaluarën në Shqipëri, si dhe mbështetjen me tepri të Malit të Zi te turizmi dhe pasuritë e paluajtshme. Rruga nga miratimi i rregullave të BE-së deri në ndërtimin e një kulture llogaridhënieje është e gjatë. Jemi të bindur se në dy deri në tre vitet e ardhshme, Mali i Zi dhe Shqipëria do të tregojnë rezultate të prekshme duke i kushtuar burime zbatimit, duke siguruar pavarësinë gjyqësore dhe të auditimit, si dhe duke mundësuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile. Parlamenti Evropian do ta monitorojë nga afër zbatimin, pasi është në lojë besueshmëria e vetë procesit të zgjerimit të BE-së”, tha ai.

Shembujt e dështimeve në prokurime publike, sidomos në infrastrukturë dhe transport, tregojnë qartë që disa para janë keqpërdorur, por tashmë po merren masa përmes auditimeve dhe hetimeve të nisura nga Gjykata Evropiane e Auditorëve”, tha eurodeputeti Tomas Zdechovsky.

Aferat e Krifcës dhe Beqajt alarmojnë BE, Brukseli
Tomas Zdechovsky dhe Marco Tarquinio

Sipas tij, kërkohet më shumë angazhim për ndërtimin e një kulture integriteti dhe transparence.

Qeveria Shqiptare nuk i ka theksuar mjaftueshëm këto çështje, dhe ne jemi të interesuar të shohim progres real në zbatimin e rregullave të reja dhe strukturës kundër mashtrimit. Gjithashtu, ne kërkojmë bashkëpunim të plotë me prokurorinë, për të diskutuar raste konkrete, me qëllim që ligji të jetë i pavarur dhe pa asnjë trysni politike”, shtoi ai.

Në Tiranë, eurodeputetët u takuan me përfaqësues të qeverisë dhe zyrtarë përgjegjës për menaxhimin dhe mbrojtjen e fondeve të BE-së, me përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe vizituan vendndodhjen e një projekti të financuar nga BE-ja. /Pamfleti

Lini një Përgjigje