Kryetari i grupit parlamentar, i PS, Taulant Balla ka folur për mediat pasi dëshmoi në SPAK si person që ka dijeni për privatizimin e aferës së klanit Berisha për klubin Partizani.
Balla tha se shpreson që t’i shkohet deri në fund kësaj çështjeje.
“Unë kam qenë shpesh këtu për të depozituar kallëzime penale si person që kam dijeni. Besoj e shpresoj që SPAK do i shkojnë fund akuzave. Kam bërë kallëzim edhe për çështjen e kompanisë OSSH. Unë do jem sërish këtu nesër për një padi penale në ngarkim të Berishës. Në momentin që ndaj teje ngrihet një akuzë duhet t’a adresosh. Dua t’i qëndroj angazhimit që për çështjet që diskutova të mbeten sekret. Unë u thirra si person që ka dijeni.
Unë shpresoj të ketë zhvillime për privatizimin e kompleksit të Partizanit.”- thotë Balla.
Ai ka paditur për këtë çështje ish-kryeministrin Sali Berisha, familjarë të tij, si dhe anëtarë të kabinetit qeverisës gjatë kohës kur PD ishte në pushtet.
Sipas Ballës, ata kanë përfituar financiarisht duke privatizuar afro 10 mijë metra katrorë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, për të ndërtuar kulla. SPAK mund të thërrasë edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në shtator të vitit të kaluar, SPAK ka pyetur ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, si person që mund të ketë dijeni për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Të pyetur për këtë dosje janë edhe Isa Tare, drejtori i klubit sportiv dhe ish-komandanti i mbështetjes logjistike, Vladimir Qiriazi.
Lini një Përgjigje