Opozita dhe mazhoranca do të përballen të mërkurën në Konferencën e Kryetarëve në lidhje me kërkesat e ngritura për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Mbledhja është kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, që një javë më parë. Mungesa e përgjigjes pozitive nga kryetarja e Kuvendit dhe Këshilli i Legjislacionit, do të spostojë përplasjen në 3 prill kur në agjendën e punimeve është kërkuar mbledhja e konferencës së kryetarëve duke i dhënë mundësinë Bardhit të shtrojë për diskutim raportin.
Veprim që vjen edhe pas shqetësimit të ngritur nga gjykata kushtetuese e cila kërkon zbatimin e vendimit.
Mazhoranca prej kohësh nuk po i jep përgjigje çështjes së mandatit të Olta Xhaçkës, edhe pse kërkesa për heqjen e saj ka dy vite në Kuvend, madje për këtë ka dhe një vendim të Gjykatës Kushteuese.
Por kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka hequr përgjegjësinë nga vetja në përgjigjen që ka dhënë për Gazment Bardhin, duke sqaruar se pas shqyrtimit të çështjeve, është vendosur që ato të diskutohen nga Këshilli për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin. Sipas saj, kërkesa është objekt i organeve të tjera të Kuvendit dhe jo i Konferencës së Kryetarëve, duke hequr përgjegjësinë nga vetja.
Por replika e Gazment Bardhit ka vijuar duke thënë se është deformuar qëndrimi i Këshillit të Legjislacionit dhe se nuk ka asnjë adresim prej tij të asnjë çështje për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Bardhi kujton se Këshilli për Legjislacionin nuk është organ vendimmarrës por këshillimor.
Gazment Bardhi i ka sjell në vëmendje Kryetares së Kuvendit se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim dhe nga ky detyrim kushtetues e ligjor nuk bën përjashtim as Kuvendi dhe as Kryetari i Kuvendit.
Ai i kujton, duke e paralajmëruar, se sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese “Moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal”, duke ju referuar kështu neneve 320 dhe 320/a të Kodit Penal.
“Mazhoranca socialiste duhet të heq menjëherë dorë nga precedenti i rrezikshëm i injorimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo minon demokracinë dhe parimet e shtetit ligjor. Pengim i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetutese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, po të mbahen në konsideratë rrethanat e çështjes, krijon bindjen e plotë në opinionin publik se përmes veprimeve konkrete mazhoranca juaj po pengon drejtësinë në përmbushjen e rolit të vet kushtetues, duke i ofruar mbrojtje politike të paprecedentë një deputeti të mazhorancës. Në vlerësimin tonë, ky është një sinjal politik edhe për SPAK që të mos hetojë deputeten e mazhorancës dhe familjarët e saj, për implikimin e mundshëm në tjetërsimin e paligjshëm të pronave publike, apo të mos hetojë autoritetet përgjegjëse, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, që në shkelje të ligjit dhe me dokumente të falsifikuara i kanë dhënë familjes së deputetes Xhaçka statusin e investitorit strategjik dhe benefitet ligjore e financiare që vijnë nga ky status”, përfundon letra e kryetarit të grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.
Partia Demokratike pretendon se Xhaçka është në konflikt interesi, pasi bashkëshorti i saj ka dalë investitor strategjik. Shumica e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese i dha të drejtë kërkesës së 1/10 së deputetëve të opozitës në vitin 2022, duke i rrëzuar si antikushtetuese vendimet e Kuvendit për dy raportet e Këshillit të Mandateve lidhur me mandatin e Xhaçkës.
Në nëntor 2022, Kuvendi vendosi të mos miratojë raportin e pakicës parlamentare dhe të miratojë atë të shumicës për çështjen Xhaçka.
Lini një Përgjigje