TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Tetor 2025, 18:25

"4 udhëtime me charter brenda 10 ditësh”, Këlliçi: Rama shëtit në forumet e organizuar nga Sorosi

Shkruar nga Pamfleti

"4 udhëtime me charter brenda 10 ditësh”,

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Rama. Ai e ka akuzuar për luks të pakontrollueshëm dhe shkëputje totale nga realiteti i shqiptarëve.

Këlliçi ka denoncuar katër udhëtimet me charter që sipas tij, kryeministri Rama ka kryer brenda dhjetë ditësh, duke e cilësuar këtë si një shembull të qartë të arrogancës qeveritare në një vend që përballet me varfëri ekstreme.

“Fluturimet luksoze të kryeministrit të vendit më të varfër të Europës! Në një kohë kur bijtë dhe bijat e shqiptarëve çdo ditë presin biletën e largimit nga Shqipëria për shkak të varfërisë e pasigurisë në vend, Edi Rama gjen mundësinë të bëjë katër udhëtime me charter brenda dhjetë ditësh”, shkruan Këlliçi.

Deputeti i PD shton se ky “luks i pakontrollueshëm” është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave dhe mentalitetit të Ramës, që sipas tij e kanë distancuar kryeministrin nga qytetarët e thjeshtë.

“Shqiptarët prej tij shihen si qytetarë të dorës së dytë, për t’u sunduar dhe mbajtur në distancë”, thekson ai.

Këlliçi akuzon Ramën se legjitimitetin politik e merr nga padronët e tij jashtë vendit, duke përmendur lidhjet e tij me organizatat ndërkombëtare. Sipas deputetit, këto lidhje ndikojnë në vendimmarrjen politike të qeverisë shqiptare.

“Legjitimitetin kryeministri e merr nga padronët e tij jashtë vendit, aty ku gatuhen politikat që shqiptarët i pësojnë dhe në vendimmarrjen për të cilat nuk marrin kurrë pjesë”, shkruan Këlliçi, duke shtuar se Rama “shëtit në forumet e organizuara nga Sorosi për të raportuar për zbatimin e axhendave të kësaj organizate në Shqipëri dhe rajon”.

Në përfundim, deputeti demokrat bën thirrje për një “shkëputje nga ndikimet e paligjshme në qeverisje” dhe për marrjen në dorë të fateve të vendit nga vetë qytetarët.

“Është koha që shqiptarët të presin fijet e ndikimeve të paligjshme në qeverisjen e vendit të tyre dhe të marrin në dorë fatet e veta”, tha Këlliçi.

Lini një Përgjigje