
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar në Prishtinë një takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Më pas ka zhvilluar një takimin dypalësh me praninë e delegacioneve përkatëse.
Kreu i Shtetit konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë krah Kosovës, teksa theksoi faktin se çdo sukses i Kosovës, është edhe sukses i shqiptarisë.
“Nuk ka rrugë tjetër. Shqipëri-Kosovë është një simbiozë që do të vazhdojë të ekzistojë”, u shpreh presidenti Begaj.
Ai uroi që ditët e mira për shqiptarët të vazhdojnë të jenë të tilla, që të dyja vendet të kenë ardhmëri më të mirë.
“Kemi mundësi të përparojmë dhe të jemi faktor i rëndësishëm për stabilitetin, paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit”, tha presidenti Begaj, teksa thekoi se për Shqipërinë mbrojtja dhe promovimi i Kosovës është në çdo agjendë ndërkombëtare.
“Funksionet publike janë të përkohshme, kombi është i përjetshëm”, vlerësoi Begaj.
Presidenti Begaj e cilësoi 12 qershorin e vitit 1999 si ditën që solli lirinë mbi vuajtjet, mbi persekucionin, mbi spastrimin etnik, mbi gjenocidin dhe kjo liri sipas tij, është e të gjithë atyre atdhetarëve që dhanë jetën, sakrifikuan dhe kontribuuan për Kosovën.
Presidenti i Republikës rikonfirmoi qëndrimin e tij për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për këtë angazhim, si dhe për lobimin në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, mori falënderime dhe mirënjohjen nga kryeministri Albin Kurti.
Gjatë këtij takimi, Begaj propozoi që edhe Kosova të shpallë festë kombëtare 22 nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Kjo kërkesë, u aprovua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Gjatë bisedës u trajtuan edhe çështje të shkëmbimeve kulturore dhe arsimore, ku një rëndësi e veçantë iu kushtua bashkëpunimit për lehtësimin e studimor të njohjes së historisë sonë nëpërmjet organizimit të shkëmbimeve mes shkollave.
Lini një Përgjigje