
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko ka folur lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila i dha vulën dhe logon e PD-së Sali Berishës.
Bejko, mbështetës i Lulzim Bashës tha se Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i organizuar nga Berisha, ishte në shkelje të plotë të statutit të PD-së. Ai shtoi se ky vendim ishte një surprizë, ndaj nuk kanë sot një plan B’.
“Ne nuk e gjykojmë drejtësinë, por ai Kuvend i organizuar nga Berisha, në ato procesverbalet të cilat nuk janë marrë në shqyrtim, ka një thagmë. Ia kam kërkuar Lulzim Bashës që të kishte një plan ‘B’, e kisha frikën te sistemi, pasi ajo marrëveshje e 2008-ës mes Berishës dhe Ramës forcon autokracinë”, tha Bejko për “News 24”.
Ai shtoi gjithashtu se lufta e tyre ishte me sistemin dhe jo me Berishën si individ, madje as me Ramën si individ por me atë që përfaqëson kryeministri.
“Ne na thonë se jemi patericë e Ramës, por marrëveshjet me Ramën i bën Berisha dhe fitoi Berisha. Para 1 muaji u bë marrëveshja Gjiknuri-Bardhi dhe bënë një paketë, që përjashtuan PD zyrtare nga Komisioni i Reformës Zgjedhore.
Nuk ishte marrëveshje thjesht për dy komisione, por ishte një paketë e plotë, që përfshinte eliminimin e komisionit bipartizan zgjedhor, kishte aty edhe vulën e PD-së, edhe lirimin e Sali Berishës, ashtu sikundër kanë edhe atë që Edi Rama fiton mandatin e 4-rt”, u shpreh Bejko.
Sipas tij, nuk mund të ketë një bashkim me Berishën, pasi jemi kundër berishizmit. Nënkryetari i Partisë Demokratike tha se berishizmi është vazhdim i putinizmit, ramizmit dhe PD me lidershipin që ka sot do të zhytet edhe më keq, bashkë me vulën, që ia dhanë dje.
Lini një Përgjigje