Janë 3 çështje të cilat duket se do fundosin gruan e Ilir Metës.
Nis të ngushtohet laku për çiftin Meta-Kryemadhi. Pas disa muajsh qetësi, duket se SPAK ka rikthyer ankthin në çiftin e PL, pasi sot në ambientet e prokurorisë u fut Monika Kryemadhi. Ajo qëndroi për 5 orë, ku është marrë në pyetje për operacionet plastike, lobimet në SHBA dhe për pasurinë miliona euro.
Pas daljes nga SPAK, Kryemadhi pranoi se SPAK i ka bashkuar në një dosje të tria çështjet, duke dhënë sinjale se prokurorët po shkojnë drejt kopsitjes së dosjes.
"U dhashë përgjigje të gjitha pyetjeve. Ballafaquam gjërat që kanë të bëjnë me akuzat që kanë ngritur. Besoj se e ezauruam aspektin e pyetjeve dhe përgjigjeve. E lexova me vëmendje dhe e firmosa me vetëdije të plota, duke marrë të gjitha përgjegjësitë. Lobimi, hetimi pasuror dhe operacionet plastike janë në një çështje. Dua të them që nuk kam bërë ndërhyrje estetike. Çdo gruan që mirëmbahet dhe që kërkon të jetë korrekte me imazhin e saj, nuk është ndërhyrje estetike. Ndërhyrje estetike do të thotë të ndryshosh shumë gjëra. Kam bërë botoks si të gjithë gratë e burrat. Nuk kam bërë ndërhyrje estetike. Jam në prokurori për padinë e Veliajt me suflerët e tij! Është paditur mamaja ime, vëllai dhe fëmijët e mi", tha Kryemadhi.
Kryemadhi tha se nuk e sfidon drejtësinë dhe se prokurorët janë aty për të bërë punë e tyre. Ajo tha se këtu ndahet me burrin e saj, Ilir Metën.
"Vazhdoj t’i qëndroj çdo deklarate time të lidhur me reformën në drejtësi. Nuk e sfidoj as sistemin e drejtësisë, as sistemin ku ne jetojmë dhe punojmë, pavarësisht problematikave që kemi. Nëse do sfidoja nuk do isha nga deputetet e pakta që ka dorëzuar në SPAK 6 padi për inceneratorin apo ndërtimit pa leje të inerteve në lidhje me inceneratorin. Të gjithë kemi ndasitë dhe qëndrimet tona. Lufta ime është betejë politike, as me prokurorët. Ata do bëjnë punë e tyre, unë jam një e paditur nga Veliaj. Ndaheni me Ilir Metën për sulmet ndaj SPAK? Ndahemi", vijoi ajo.
Kryemadhi u mor si person që ka dijeni, pasi për efekt të afateve hetimore SPAK nuk e ka vënë nën hetim. Por janë 3 çështje të cilat duket se do fundosin gruan e Ilir Metës. E para janë ndërhyrjet estetike. Ka një padi se ajo bashkë me Metën kanë shpenzuar mbi 200 mijë euro për operacione plastike në disa vende të BE. Po ashtu ka një padi se LSI kur drejtohej nga Kryemadhi ka shpenzuar mbi 700 mijë dollar për lobime në SHBA dhe nuk janë deklaruar. Ndërkohë, dosja e tretë është ajo e hetimit pasuror. SPAK po heton pallatin nga ku Kryemadhi mori 13 apartamenti, vilën te Gjiri i Lalëzit dhe pronat në emër të vëllait, nënës dhe babait të Metës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje