TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Mars 2023, 09:42

Zgjedhjet e 14 Majit, sot afati i fundit për regjistrimin e partive në KQZ; PD sërish e ndarë

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet e 14 Majit, sot afati i fundit për regjistrimin e partive në

Dita e sotme është afati i fundit për regjistrimin e subjekteve politike pranë KQZ-së për zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Deri më tani kanë dërguar kërkesën për regjistrim 34 parti politike.

Nga partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia e Lirisë i kanë dorëzuar kërkesat e tyre dhe dokumentacionet përkatëse.

Tani pritet me interes regjistrimi i Partisë Demokratike.

Do të jenë dy grupimet që do të dërgojnë kërkesën për tu regjistruar për garën e 14 Majit. Pastaj ngelet në dorë të KQZ se kë prej grupeve brenda PD-së do të njohë si forcën kryesore opozitare dhe më pas për të vijuar dhe me procedurat e tjera.

Po sot pritet që nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj të depozitojë në KQZ kërkesën për regjistrimin e PD.

Ndërsa grupi i Berishës mbrëmjen e djeshme pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar depozitoi kërkesën për t’u regjistruar për zgjedhjet lokale.

Në Këshillin Kombëtar u vendos që në zgjedhjet lokale të shkohet me koalicion me partinë e Ilir Metës.

Kandidatët e Rithemelimit për kryebashkiakë nuk do të dalin në zgjedhjet vendore me logon e PD, por do të shkojnë përpara votuesve në koalicion. 

Përveç emrave për kryebashkiakë Berisha do të duhet të dakordësohet me aleatët edhe për listën e këshilltarëve në 61 bashkitë, pasi Partia e Lirisë ka nisur prezantimin e listës së kandidatëve të saj.

Gjithashtu, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, përfaqësuesit ligjorë të selisë blu, Ledio Nuraj dhe Franc Nuri, kanë çuar kërkesën në KQZ për regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor.

Ndërkohë, mësohet se Belind Këlliçi dhe Flamur Noka janë takuar me Agron Dukën për të biseduar me të për mundësinë që ai të jetë pjesë e koalicionit që pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.

Ndërkohë Partia Socialiste ka kërkuar që të regjistrohet si forcë politike, e cila shkon pa asnjë koalicion në garën e 14 Majit.

Afati për regjistrimin e koalicioneve është 16 Marsi.

kqz zgjedhjet e 14 majit

Lini një Përgjigje