
Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të qytetarëve me të drejtë vote për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, të drejtën e votës e kanë 3,713,761 shtetas, brenda dhe jashtë vendit. Ndër ta, 114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë ndërsa 1,081 shtetas të papërfshirë, për shkak të dekriminalizimit. Ndërsa numri i qendrave të votimit është 5,225.
Numri i emigrantëve të regjistruar zyrtarisht në listën e zgjedhësve nga jashtë është 245,808 persona.
Procesi i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve të KQZ-së, duke kaluar në disa faza në zbatim të dekretit të Presidentit, përmes publikimeve të 3 ekstrakteve të përbërësve zgjedhore.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori:
– Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit;
– Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.
Lista përfundimtare përmbyll procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve. DPGJC në çdo bashki vijon të përmbushë detyrimet mbi përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.
Ndërkohë, qytetarët mund të aplikojnë apo rinovojnë Letërnjoftimet elektronike të skaduara, si një nga 2 dokumentet biometrike, që përdoren për identifikimin e votuesve në zgjedhjet e 11 majit.
Lini një Përgjigje