TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Prill 2025, 17:03

11 maji, pranë çdo qendre votimi do angazhohet një koordinator sigurie; Celibashi i cakton detyrat

Shkruar nga Pamfleti

11 maji, pranë çdo qendre votimi do angazhohet një koordinator

Në çdo qendër votiminë zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të ketë një koordinator sigurie. Kjo parashikohet në aktin e miratuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Koordinatori i sigurisë do të raportojë çdo parregullsi që do të konstatojë, duke e referuar menjëherë në polici.

Me këtë vendim, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kërkon nga Policia e Shtetit një rol më proaktiv gjatë procesit zgjedhor.

Ndër parregullsitë që koordinatori i sigurisë duhet të raportojë është edhe prania e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit. Sipas aktit të miratuar, është përcaktuar një perimetër sigurie prej 150 metrash, brenda të cilit nuk do të lejohen persona të paautorizuar.

Koordinatorët do të monitorojnë vazhdimisht mjediset e jashtme të QV-së, përfshirë oborret, hyrjet dhe perimetrin 150 metra. Në çdo rast të evidentimit të individëve të paautorizuar, grumbullimeve të dyshimta, presioneve ndaj votuesve, sjelljeve kërcënuese ose materialeve të ndaluara në këtë zonë, koordinatori do të njoftojë menjëherë komisionin/et e qendrës së votimit në vendndodhjen përkatëse, sekretarin e KZAZ-së, dhe do të komunikojë menjëherë me sallën operative të Policisë së Shtetit në zonën përkatëse, përmes numrit 119.

Në këtë kuadër çdo shkelje që konstatohet do të përfshihet në procesverbalin e koordinatorit të sigurisë, ku emrat e personave që abuzojnë gjatë procesit zgjedhor do të bëhen publikë në faqen zyrtare të KQZ-së.

Prania e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit ka qenë një shqetësim në dy proceset e fundit zgjedhore, të cilat janë evidentuar si problematike edhe në raportet e monitorimit të OSBE/ODIHR.

Kjo është një nga risitë e proceseve zgjedhore në Shqipëri dhe është në kuadrin e asaj që konsiderohet si masë e shtuar për të parandaluar krimet zgjedhore.

Në zgjedhjet e mëparshme, në jo pak raste, pranë qendrave të votimit janë regjistruar përplasje fizike mes grupeve të ndryshme që mbështesin subjektet në garat zgjedhore, ku nuk kanë munguar edhe ngjarjet e rënda kriminale.

 

Lini një Përgjigje