TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Qershor 2025, 08:00

‘1 në 50 shqiptarë është në burg’, Rama sfidon Nigel Farage me shifrat: Ose deportim total, ose eja bëj pushime në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti

‘1 në 50 shqiptarë është në burg’, Rama

Farage është i njohur për qëndrimet e tij kundër emigracionit. Deputeti britanik ka reaguar ashpër pasi në ditët e fundit Rama ka mbajtur qëndrim refuzues ndaj ngritjes së kampeve të emigrantëve nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri, me një model të ngjashëm me atë që ka aplikuar Italia në Shëngjin...

Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim në rrjetet sociale lidhur me emigrantët shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa ka sfiduar politikanin Nigel Farage, i cili një ditë më parë u shpreh se 1 në 50 shqiptarë që janë në Britani është në burg. Por Rama në reagimin e tij u shpreh se nëse kjo është e vërtetë, atëherë është gati që të marrë mbrapsht secilin prej tyre.

Një ditë më parë, deputeti Nigel Farage tha se shqiptarët në Britaninë e Madhe duhet të deportohen, duke përmendur shifra si “1 në 50 prej tyre janë në burg”, duke nënkuptuar një shkallë të lartë kriminaliteti mes komunitetit shqiptar atje.

Në një postim në “X”, Rama i ka hedhur poshtë pretendimet e deputetit britanik, duke ftuar Farange që të bëjnë një përballje me shifra reale.

Farage është i njohur për qëndrimet e tij kundër emigracionit. Deputeti britanik ka reaguar ashpër pasi në ditët e fundit Rama ka mbajtur qëndrim refuzues ndaj ngritjes së kampeve të emigrantëve nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri, me një model të ngjashëm me atë që ka aplikuar Italia në Shëngjin.

Ish ideatori i BREX-it ka kërkuar që Edi Rama “të marrë të gjithë kriminelët shqiptarë mbrapsht”. Farage, duke iu përgjigjur komenteve të Ramës per median britanike, pretendoi se “një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg” dhe duke bërë thirrje për riatdhesimin e tyre të menjëhershëm.

“Kryeministri shqiptar na kritikon për Brexit-in dhe thotë se Britania është ‘në një vend të errët, teksa kerkon vende te treta për të lënë emigrantët’”, tha populisti britanik.

Ai shtoi se Rama pretendoi se “shumë nga ato që themi pas Brexit-it janë bërë ‘krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake dhe krejtësisht të turpshme’”.

Farage e quajti Ramen “si një burrë gjigand”, i cili udhëheq Shqipërinë si kryeministri i saj socialist, ndërsa kritikon politikat e imigracionit të Britanisë. Kritikat e Ramës ndaj Britanisë u shfaqën gjatë një interviste me The Guardian, ku ai paralajmëroi se plani i Sir Keir Starmer për të dërguar azilkërkuesit e dështuar jashtë vendit tregon se Britania pas Brexit është në “një vend shumë të errët”.

Reagimi i Ramës

Upsss… vetë z.Nigel Farage më sfidoi për faktet!

Çfarë nderi — për një “burrë gjigand”, siç më përshkroi ai (duke pasur parasysh, natyrisht, që vij nga një “vend i vogël”) — të tërheq vëmendjen e mjeshtrit të padiskutueshëm të politikës me tituj në Britani.

Ai tha — dhe po e citoj:

‘’Të them diçka, z. Rama: e di që një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Prandaj trego pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi.”

Epo, z. Farage — më lejoni t’ju përgjigjem me diçka që s’është aq e zakonshme në stilin tuaj: shifra reale.

Pretendimi juaj se “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg” nuk është fakt. Është absurd. Një klasik i manualit post-Brexit: ‘’Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë.’’

Por kur shikohen të dhënat reale — është një befasi! Edhe nëse do të supozonim se çdo shqiptar që ndodhet në burg është realisht fajtor (ndonëse shumë janë aty për shkak të një sistemi vizash të padrejtë dhe të vjetëruar), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ishte më e lartë se ajo e popullsisë britanike— madje ka shumë gjasa të jetë më e ulët.

Dhe meqë të dy duket se e vlerësojmë “vullnetin e mirë” dhe nuk e durojmë “hipokrizinë”, kam një propozim të thjeshtë për ju:

T’i sjellim të dyja palët faktet në tavolinë. Nëse pretendimi juaj “1 në 50” del i saktë — angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për shoë, por zotohem publikisht.

Por nëse del që shifra juaj është thjesht karburant për tabloide, atëherë s’ka nevojë për ndjesë. S’ka nevojë për drama. Madje në vënd të kësaj do të merni një ftesë për të ardhur në Shqipëri — si i ftuar nderi.

Do të merrni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë, dhe fakte edhe më të vërteta — për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet.

Si thoni atëherë? Një verifikim faktesh për një deportim total — ose për një palë pushime, në mesin e njerëzve më të ngrohtë që do të njihni ndonjëherë.

Hajde, Nigel. Edhe nëse humb në kontrollin e fakteve, fiton një komb të tërë miqsh për gjithë jetën.

Pres me padurim përgjigjen tuaj.

Lini një Përgjigje