Kandidati i Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti edhe pse kërkoi rinumërimin e votave e cilëson si farsë procesin e rinumërimit dhe thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk pranoi kërkesën e tij për të bërë rinumërimin në bazë të videove të KQZ.
Ai tha për “MCN Live” se kërkesa e tij u hodh poshtë nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve dhe një javë më vonë dhe nga Kolegji Zgjedhor dhe ajo që është pranuar dhe po ndodh, është hapja e kutive.
"Prova kryesore ishte videoja e regjistruar, por u refuzua. Ndoqa 10 minutat e para të rinumërimit dhe konstatova se është një proces farsë, ishte një proces që nuk çonte askund sepse votat në kuti ishin të shënuara.
Sado ti numërosh po të njëjtat vota të manipuluara janë brenda. Kam kërkuar rinumërimin bazuar në videot që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por kjo kërkesë u hodh poshtë, aty është e vërteta.
KQZ po ricertifikon manipulimin me veten e vetë. Kërkesat e mia janë hedhur poshtë si në KAS dhe në Kolegjin Zgjedhor. Ne kemi kërkuar që në momentin e parë përmes vëzhguesve, na u dhanë indiciet për parregullsi.
Kërkuam kamerat e procesit ku numëroheshin mandatet për secilën parti, videot të 11 dhe 12 majit. Kishte diskordanca, nuk shkonte video me procesverbalin.
KAS e hodhi poshtë jo se provat nuk vlejnë, por se ju nuk keni të drejtë, të drejtën e kërkesës e ka subjekti politik.
Shkojnë numërojnë këto procesverbale që i kanë numëruar njëherë, shtojnë dhe një element tjetër, disa nga votuesit kanë votuar te mbiemri dhe jo tek kutia në anë të emrit dhe këto KAS mori vendim t’i quajë të pavlefshme.
Madje i quan vota të pamerituara apo të shtuara, por kjo nuk është e vërtetë. Kjo bëhet qëllimisht nga KQZ.
Votuesi e ka shprehur vullnetin me metodën e vjetër të sistemit mazhoritar, duke votuar tek mbiemri.
Por kjo gjë nuk lidhet vetëm me mua. Vota është e shprehur shumë qartë, vullneti është i qartë por KAS ua uli kandidatëve të gjithë votat ku u gjendën të tilla.", tha demokrati në MCN.
Lini një Përgjigje