TAGS-AT E JAVËS

Kulture24 Korrik 2025, 12:13

Requiem/ Indro Montanelli, zëri i lirisë dhe ndershmërisë në gazetarinë moderne

Shkruar nga Kastriot Kotoni
Requiem/ Indro Montanelli, zëri i lirisë dhe ndershmërisë
Indro Montanelli /

Nga frontet e luftës te idealet e fjalës së lirë;  jeta, vepra dhe trashëgimia e gazetarit që nuk iu përkul askujt...

Indro Montanelli lindi më 22 prill 1909 në Fuçekio të Toskanës, bir i vetëm i Sestilio Montanellit, profesor dhe më vonë drejtor liceu, dhe Madalena Doddoli, nga një familje tregtarësh të pasur. Emri i tij i rrallë, Indro, i vendosur nga i ati, vjen nga mitologjia hinduiste dhe u përshtat në gjininë mashkullore. Që në fëmijëri vuante nga ankthi dhe depresioni. Nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë, duke ia kushtuar jetën vetëm punës dhe gazetarisë.

Pas diplomimit në Jurisprudencë dhe Shkenca Politike në Universitetin e Firences, ai vijoi studimet për gazetari në Sorbonë dhe në Universitetin e Grenoblës në Francë. Punoi fillimisht për gazetën “Paris Soir” dhe më pas për agjencinë amerikane “United Press”.

Në fillim të viteve '30, Montanelli përqafoi ide antikapitaliste dhe antiborgjeze, bashkëpunoi me Berto Riccin dhe gazetën “L’Universal”. Në këtë periudhë njohu dhe konsideroi si mentor Leo Longaresin, një emër i rëndësishëm në formimin e tij profesional. Libri i tij i parë “Lamtumirë kohës së paqes” u botua më 1935.

Ai shërbeu si korrespondent lufte në Abisini, ku qëndroi për dy vjet dhe u dekorua për shërbimin e tij. Prej kësaj eksperience lindi libri “Batalioni XX Eritreas”. Më pas shkoi në Luftën Civile të Spanjës, ku raportimet e tij kritike ndaj ndërhyrjes italiane çuan në përjashtimin e tij nga Urdhri i Gazetarëve dhe nga Partia Fashiste, një kthesë që e ndau përgjithmonë nga regjimi i Musolinit.

Montanelli mbuloi ngjarje të rëndësishme historike në Poloni, Estoni, Finlandë, dhe më pas në Francë, Greqi, Hungari, Beograd, Rumani, Bullgari dhe Malin e Zi si korrespondent i “Corriere della Sera”. U arrestua nga nazistët më 5 shkurt 1944 dhe u dënua me pushkatim, por u shpëtua falë ndërhyrjes së Vatikanit dhe përpjekjeve të nënës së tij.

Pas luftës, Montanelli u bë një zë i fuqishëm kritik ndaj çdo forme pushteti të centralizuar. Në vitin 1974 themeloi gazetën “Il Giornale”, të cilën e drejtoi deri në 1994, për të themeluar më pas “La Voce”. Ai nuk u anëtarësua kurrë në parti politike, duke ruajtur një pavarësi të rrallë intelektuale. Refuzoi edhe emërimin si senator i përjetshëm nga presidenti Cossiga, më 1991.

Montanelli ishte gjithashtu një historian i njohur. Ai botoi 71 vepra, përfshirë historinë e Romës, Greqisë, Italisë, historinë e Garibaldit dhe ese të tjera. Kolana monumentale “Historia e italianëve” përbëhet nga 22 vëllime dhe mbetet një referencë e rëndësishme e historiografisë italiane.

Në ligjëratën e tij të famshme në Universitetin e Torinos më 12 maj 1997, ai theksoi:

“Gazetaria nuk të bën të pasur. Nëse takoni një gazetar të pasur, mos i zini besë.”
“Publiku është padroni ynë. Duhet t’i flasim me gjuhën e tij, jo me atë të akademive.”
“Scoop-i është rruga e shkurtër e budallenjve. Mund të arrish i pari, por në mënyrën më të keqe.”
“Një gazetar që e përdor profesionin për qëllime të tjera, meriton të pushkatohet.”

Ai ishte kritik ndaj gazetarisë moderne që, sipas tij, kishte humbur etikën për shkak të ndikimit të televizionit dhe ndjekjes së audiencës me çdo kusht. Mbeti deri në fund të jetës një figurë që notonte kundër rrymës, shpesh i kërcënuar – madje u plagos rëndë nga atentati i brigadave të kuqe, por kurrë i përkulur.

Indro Montanelli vdiq më 22 korrik 2001, në moshën 92-vjeçare dhe u varros në vendlindjen e tij në Fuçekio, pranë varrit të nënës.

Në vitet ’90 ai botoi edhe një libër për Shqipërinë, “Shqipëria një dhe një mijë”, ku, mes të tjerash, shkruante:

“Askush s’më kërkoi liri. Bukë kërkonin, tokë për të mbjellë, shtëpi e qe. Ndërsa mua më shkonte mendja te librat gazetarësh të huaj që e shihnin Shqipërinë si çështje të lirive demokratike…”

Montanelli e deshi gazetarinë si mision dhe liri personale, jo si rrugë drejt pushtetit apo pasurisë. Ai i përket atyre figurave që e formësuan historinë moderne të gazetarisë italiane dhe europiane. Vepra, qëndrimi dhe kurajoja e tij qytetare do të mbeten përherë një udhërrëfyes për çdo gazetar të ndershëm. /Pamfleti

indro montanelli

Lini një Përgjigje